Shkup, 21 shtator, Zhurnal.mk – Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AVMU) ka prezantuar rezultatet e hulumtimit “Gjinia në media 2025”, i cili tregon se gratë kanë qenë dukshëm më pak të përfaqësuara se burrat në fushatën mediatike për Zgjedhjet Lokale 2025.
Në takimin e tretë publik të këtij viti, drejtori i AVMU-së, Zoran Trajçevski, prezantoi aktivitetet e institucionit, ndërsa u publikuan edhe gjetjet e analizës së realizuar nga agjencia Market Vision.
Sipas hulumtimit, në lajmet zgjedhore të servisit publik MRT 1 dhe MRT 2, nga 791 paraqitje të subjekteve kryesore politike, vetëm 103 (13%) ishin gra, ndërsa 688 (87%) ishin burra.
Pabarazia u shfaq edhe në reklamat politike të televizioneve kombëtare komerciale. Nga 588 paraqitje, vetëm 64 (10,9%) i takonin grave, ndërsa 524 (89,1%) burrave. Në reklamat me pamje nga aktivitetet partiake nuk u regjistrua asnjë paraqitje e grave.
Analiza thekson se pabarazia gjinore ishte më e theksuar te kandidatët për kryetarë komunash dhe liderët partiakë, ndërsa përfaqësimi ishte më i balancuar te kandidatët për këshilltarë komunalë.
Megjithatë, hulumtimi nuk ka evidentuar raste të objektivizimit seksual apo diskriminimit të drejtpërdrejtë gjinor në raportimin mediatic.
