Anija pranë “Holiday Inn” prej vitesh kalbet në Vardar, pasi “u fundos” në labirintet gjyqësore

Nga Xh M
38 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 shtator Zhurnal.mk – Nga tri anijet në lumin Vardar, të ndërtuara në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, sot funksionon vetëm njëra. Sa u përket dy të tjerave, ato janë jashtë funksionit, ndërsa për njërën ekziston një kontratë në fuqi me subjekt privat, kurse tjetra prej vitesh kalbet pasi është “fundosur” në labirintet gjyqësore dhe juridike.

Siç mund të shihet në terren, ajo ndodhet në gjendje jashtëzakonisht të keqe, ndërsa nga Qyteti i Shkupit për “Fokus” thonë se kanë trashëguar dy procese gjyqësore, prej të cilave njëri së fundmi është zgjidhur në Gjykatën e Apelit në favor të Qytetit.

Nga tri anijet që dikur u ndërtuan në lumin Vardar në kuadër të projektit kontrovers “Shkupi 2014”, aktualisht funksionon vetëm njëra – ajo në mes, përballë Qendrës Tregtare të Qytetit.

Dy anijet e tjera janë jashtë funksionit dhe të lëna pas dore, veçanërisht ajo pranë “Holiday Inn” dhe përballë Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila ndodhet në gjendje jashtëzakonisht të keqe dhe të rrënuar.

Bëhet fjalë për anijen që filloi të çmontohej gjatë kohës kur kryetar i Shkupit ishte Petre Shilegov, por procesi mbeti përgjysmë për shkak të ndryshimit të pushtetit lokal, si dhe procedurave juridike të ngritura nga pronari.

Për rikujtim, aktivitetet për rrënimin e anijes nisën në fund të mandatit të Shilegovit, i cili, siç dihet, humbi zgjedhjet lokale të vitit 2021 ndaj Danela Arsovskës.

Menjëherë pas ardhjes së Arsovskës në krye të pushtetit lokal në Shkup, punëtorët që merreshin me çmontimin e anijes u sulmuan nga një person i cili, sipas raportimeve të atëhershme të mediave, ishte i lidhur me kompaninë bullgare që paraqitej si pronare e anijes.

Duke qenë se gjendja rreth këtij objekti prej vitesh mbetet në status quo, “Fokus” pyeti Qytetin e Shkupit se cili është qëndrimi i pushtetit aktual lokal, të drejtuar nga Orce Gjorgjievski, për këtë anije të rrënuar, si dhe në përgjithësi për të tri anijet.

Pyetja ishte nëse ato duhet të mbeten dhe të funksionojnë në lokacionet ekzistuese, apo duhet të hiqen për shkak se paraqesin rrezik në rast të përmbytjeve të mundshme.

Nga përgjigjet e marra rezulton se për anijen përballë GTC-së, e cila është e vetmja funksionale, si dhe për atë pranë MEPSO-s, e cila prej kohësh nuk funksionon, ekzistojnë kontrata në fuqi, ndërsa anija e tretë pranë “Holiday Inn” ka qenë objekt i dy procedurave gjyqësore.

“Qëndrimi i administratës së qytetit është i qartë në lidhje me anijet që ndodhen në shtratin e lumit Vardar. Për anijen e parë pranë ‘Holiday Inn’ janë trashëguar dy procese gjyqësore, prej të cilave njëri së fundmi është zgjidhur në Gjykatën e Apelit në favor të qytetit dhe aktgjykimi është i formës së prerë.

Shprehim besimin se, duke pasur parasysh praktikën gjyqësore, edhe kontesti i dytë gjyqësor do të zgjidhet gjithashtu në favor të Qytetit të Shkupit. Me këtë hapen mundësitë që qyteti, përmes Ndërmarrjes Publike ‘Rrugët dhe Rrugicat’, të ndërmarrë aktivitete përgatitore për largimin e këtij objekti, në përputhje me rregullativën ligjore”, u përgjigjën nga Qyteti i Shkupit.

Ndryshe, këto anije në Vardar ishin pjesë e projektit shumëmilionësh “Shkupi 2014” të qeverisë së Nikolla Gruevskit, me të cilin u ndryshua pamja e kryeqytetit.

Gjatë një prej ndryshimeve të shumta të Planit të Detajuar Urbanistik “Ring i Vogël”, në kohën kur kryetar i Shkupit ishte Vladimir Todoroviq, në shtratin e lumit u parashikuan parcela për gjashtë platforma lundruese.

Kështu, në ankandin publik të Qytetit të Shkupit në vitin 2012, kur kryetar i Shkupit ishte Koce Trajanovski, dy lokacione iu shitën kompanisë “Falanga” – njëri pranë ndërtesës së MEPSO-s dhe tjetri pranë hotelit “Holiday Inn”. Të dyja sot nuk funksionojnë.

Më vonë, po atë vit, një lokacion tjetër iu shit kompanisë “Vodenica”, pranë GTC-së, përkatësisht përballë Muzeut Arkeologjik dhe mes dy urave për këmbësorë. Sot, vetëm kjo anije funksionon.

Në fakt, për të tria anijet ishin lidhur kontrata me autoritetet e qytetit për vendosjen e pajisjeve urbane me qëllim ushtrimin e veprimtarisë hotelierike. Edhe pse pronarët fillimisht kishin afat 24 muaj për t’i vënë në funksion, këto afate nuk u respektuan, ndaj Qyteti ua zgjaste afatet përmes anekseve të kontratave.

Ndërkohë, pati edhe ndryshime në pronësi. Kështu, pronar i ri i anijes pranë “Holiday Inn” u bë “Intek Mak”, ndërsa në fund anija përfundoi te “Sevris AD”.

Kur filloi rrënimi i anijes, nga kjo kompani reaguan duke thënë se gjithçka ishte në rregull dhe se i kishin përmbushur të gjitha detyrimet, ndërsa kërkuan një gjykim të drejtë.

Sipas Studimit për uljen e rrezikut nga përmbytjet, të përgatitur nga UNDP së bashku me Qytetin e Shkupit dhe Qendrën për Menaxhimin e Krizave, në lumin Vardar nuk duhet të ndërtohen argjinatura, pengesa dhe objekte të tjera, ndërsa anijet kanë zvogëluar me një të tretën kapacitetin e rrjedhjes së lumit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër