Shkup, 24 shtator Zhurnal.mk – Banka serbe ALTA, e cila në vitin 2025 mori përsipër Stopanska Banka Manastir, synon të marrë edhe Silk Road Bank SHA Shkup, mëson “Faktor”.
Informacioni për momentin nuk është konfirmuar zyrtarisht nga të dyja bankat, por nëse procesi zhvillohet siç pritet, kjo do të ishte marrja e dytë e madhe e një banke maqedonase nga grupacioni ALTA brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Nga ALTA Banka dhe Silk Road për momentin as nuk e konfirmojnë, por as nuk e mohojnë lajmin, ndërsa informacioni zyrtar për ofertën për marrjen e bankës pritet të publikohet së shpejti.
ALTA Banka hyri në tregun maqedonas përmes marrjes së Stopanska Bankës SHA Manastir. Në shtator të vitit 2025, Komisioni i Letrave me Vlerë i dha leje ALTA Bankës AD Beograd për të bërë ofertë për marrjen e aksioneve të Stopanska Bankës Manastir.
Oferta ishte me çmim prej 3.777 denarësh për aksion dhe përfshinte 371.538 aksione të zakonshme. Komisioni deklaroi se, së bashku me aksionet që tashmë i zotëronin ALTA Banka dhe personat me të cilët ajo vepronte bashkërisht, oferta përfshinte 100 për qind të kapitalit themeltar të bankës së ManastirIT.
Në fund, ofertën e pranuan 262 aksionarë, me gjithsej 344.420 aksione. Vetëm vlera e këtyre aksioneve me çmimin e ofruar arrin në rreth 1,3 miliardë denarë, përkatësisht rreth 21 milionë euro.
Silk Road Bank është një nga bankat më të vjetra komerciale në Maqedoni. Ajo u themelua në vitin 1993, në atë kohë me emrin Kreditna Banka SHA Shkup.
Në maj, i gjithë kapitali aksionar u ble nga Silk Road Capital, pas së cilës banka mori emrin që mban sot. Aktualisht, aksionari i vetëm është Silk Road Capital AG nga Cyrihu, Zvicër, me 100 për qind të aksioneve.
Banka ka 14 ekspozitura dhe 163 të punësuar, sipas të dhënave të saj. Sipas raporteve financiare të audituara për vitin 2025, në fund të vitit të kaluar Silk Road Bank kishte gjithsej rreth 12,2 miliardë denarë aktive, përkatësisht afërsisht 198 milionë euro.
Ndërkohë, në tregun bankar maqedonas është duke u zhvilluar një proces i madh ristrukturimi. Banka austriake Steiermärkische Bank und Sparkassen AG, grupacioni që qëndron pas Sparkasse Bank AD Shkup, ka publikuar zyrtarisht synimin për ta marrë UNI Bank AD Shkup, përmes një oferte për të gjitha aksionet e zakonshme, përkatësisht për 100 për qind të kapitalit aksionar dhe të drejtave të votës.
