Tiranë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po tërheq investues që sjellin turizmin më luksoz, duke investuar në turizëm që ndërton të ardhura të larta.
Rama ishte sot i ftuar në Samitin e Euronews 2026, për të folur për të ardhmen e turizmit, investimet dhe potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë.
Kryeministri theksoi se duke pasur një turizëm që zhvillohet mbi turistin me të ardhura të ulëta apo të mesme vendi rrezikon që t’i nënshtrohet një trysnie shumë të madhe mbi infrastrukturën, mbi natyrën dhe shërbimet e veta.
“Rrezikojmë që të mos marrim mbrapsht atë çfarë mundemi. Ndërkohë, që po të investojmë në turizmin që ndërtohet mbi të ardhurat e larta, pra turizmi luksoz, ne ulim trysninë mbi vendin dhe marrim më shumë mbrapsht. Kjo është arsyeja pse po investojmë edhe për të sjellë investues që sjellin turizmin më luksoz”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se 10 vjet më parë kjo ishte e pamundur, pasi nuk ekzistonin realisht hotelet me pesë yje.
“Tashmë është një histori krejt ndryshe me projektin e madh që presim ta çojmë përpara me vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe me projektimin ka një sërë markash të mëdha që janë gati të vijnë dhe kanë nënshkruar. Kemi Atlantis që do të jetë i pari në kontinentin tonë që do të vijë në Shqipëri”, shtoi Rama.
