Qeveria miraton propozim-vendimin për shpronësimin e pronave për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, në segmentin Banullë-Bresalc, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë tha se propozimi i miratuar mundëson vazhdimin e procedurave për shpronësimin e pronave që preken nga ky projekt.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, që preken nga realizimi i projektit ‘Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan dhe Dheu i Bardhë’, segmenti Banullë-Bresalc. Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe Dheu i Bardhë synon të përmirësojë lidhjen me rajonin e Gjilanit dhe me pikën kufitare të Dheut të Bardhë. Propozimi i sotëm lejon shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësimin e pronave në zonën kadastrale Banullë të Komunës së Lipjanit, të nevojshme për segmentin Banullë-Bresalc”, tha Kurti.

Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Driton Hyseni tha se vendimi mundëson fillimin e procedurës së shpronësimit për interes publik të pronave që preken nga realizimi i projektit.

“Atëherë të nderuar kolegë, duke ju falënderuar për konfirmimet e vendimeve për të gjitha pikat deri tani edhe për këtë pikë ju lus miratimin e juaj, sepse ky vendim e mundëson fillimin e procedurës së shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit ‘Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë’, në segmentin Banullë-Bresalc, pra të zonës kadastrale Banullë, Komuna e Lipjanit. Ky projekt, siç e dini, ka rëndësi të veçantë për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe lehtësimin e qarkullimit ndërmjet rajoneve tona. Gjithashtu, krijon edhe mundësi të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik. Andaj, duke llogaritur rëndësinë e këtij projekti, ju lus për këtë pikë ta miratoni”, tha Hyseni.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër