Tiranë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi përcolli sot mesazhin për përgjegjësinë dhe integritetin e profesionistëve të rinj të drejtësisë, gjatë ceremonisë së nisjes së vitit të ri akademik në Shkollën e Magjistraturës.
Në fjalën e tij drejtuar kandidatëve për magjistratë, avokatë të shtetit dhe ndihmës ligjorë, Sadushi theksoi se Shkolla e Magjistraturës nuk duhet të kufizohet vetëm në përgatitjen profesionale, por duhet të formojë një kulturë të pavarësisë, integritetit dhe përgjegjësisë.
“Shkolla e Magjistraturës nuk përgatit vetëm profesionistë të mirë të së drejtës. Ajo formon profesionistë, të cilëve nesër do t’u besohen përgjegjësi të rëndësishme që të gjykojnë, të ushtrojnë akuzën në emër të shtetit, të mbrojnë interesin publik dhe të kontribuojnë në dhënien e drejtësisë”, u shpreh Sadushi.
Sadushi nënvizoi se drejtësia nuk matet vetëm nga vendimi i dhënë, por edhe nga mënyra se si trajtohet qytetari dhe arsyetohet vendimmarrja.
“Ligji duhet njohur shumë mirë, por kjo nuk mjafton. Duhet të formohet aftësia për të menduar juridikisht, për të dalluar thelbësoren nga dytësorja, për të mos u kënaqur me përgjigjen më të lehtë, për të arsyetuar përpara se të vendoset”, tha kreu i Gjykatës së Lartë.
Duke iu drejtuar kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, Sadushi theksoi rëndësinë e pavarësisë, objektivitetit dhe përgjegjësisë në ushtrimin e funksioneve publike.
“Për ju që do të bëheni gjyqtarë, pavarësia nuk është privilegj, por garanci e qytetarit. Ajo dëshmohet veçanërisht kur vendimi i drejtë nuk është vendimi më i lehtë, më popullor apo më i përshtatshëm”, deklaroi ai.
Sadushi tha se autoriteti që u jep ligji duhet të shoqërohet me objektivitet dhe përgjegjësi.
“Fuqia e akuzës nuk qëndron te ashpërsia e saj, por te drejtësia e saj”, u shpreh ai.
Ndërsa për kandidatët e Avokaturës së Shtetit, Sadushi theksoi se mbrojtja e interesit shtetëror nuk duhet të nënkuptojë mbrojtje mekanike të çdo qëndrimi të administratës, pasi, sipas tij, ligjshmëria është një interes themelor i shtetit.
Në vijim, kreu i Gjykatës së Lartë u ndal edhe te reforma në drejtësi, duke theksuar rolin që kanë profesionistët në zbatimin e saj.
“Shqipëria ka investuar shumë në reformimin e sistemit të drejtësisë, por, në fund, asnjë reformë nuk mund të jetë më e mirë se njerëzit që e zbatojnë atë”, tha Sadushi.
Ai u bëri thirrje magjistratëve të rinj të ruajnë kureshtjen profesionale, të zhvillojnë vazhdimisht njohuritë dhe të jenë të gatshëm të përshtaten me ndryshimet e ligjit, jurisprudencës dhe shoqërisë.
“Ligji ju jep kompetencën, karakteri juaj do të përcaktojë mënyrën se si do ta përdorni”, theksoi Sadushi.
Në përfundim të fjalës së tij, kryetari i Gjykatës së Lartë uroi kandidatët për një rrugëtim të suksesshëm profesional, duke vënë theksin te ndërtimi i besimit të qytetarëve përmes mënyrës se si drejtësia ushtrohet çdo ditë.
