Tiranë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.
Gjatë fjalës së tij për mediet jashtë ambienteve të prokurorisë, Berisha u ndal tek propozimet për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.
Sipas tij, SPAK heshti në lidhje me ndryshimet e propozuar, teksa shtoi se ata “mund të vështirësojnë hetimet”.
“A mundet institucioni qendror i akuzës, siç është SPAK-u, për zyrtarët të heshtë para ligjit, i cili paralizon hetimin? A mundet një institucion i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës? Që përjashton mediet nga misioni i tyre i informimit të publikut? A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t’ia çojë provat për të miratuar gjykatësi, pa bërë gjykimin, që e shndërron gjykatësin në hetues në një akt të pashembullt? Heshtja e tyre i inkriminon nga i pari, tek i fundit”, tha ai.
Ai tha se interesi i qytetarëve dhe i shtetit ligjor është që prokuroria të ketë mundësi të hetojë plotësisht çdo person.
Berisha iu referua edhe qëndrimit të Këshillit të Evropës, duke thënë se gjatë qëndrimit të tij në Strasburg është informuar se institucioni nuk i ka miratuar ndryshimet e fundit.
“Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama. Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime”, tha ai.
Berisha u ndal edhe tek ndryshimet në rregulloren e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Berisha i cilësoi këto ndryshime si “diktaturë të hapur” dhe i krahasoi me mënyrën e funksionimit të dosjeve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist.
“Ka marrë krejtësisht modelin e vjetër. Ka marrë modelin e diktaturës, është vendosje e diktature dhe unë ftoj gazetarët të mblidhen me urgjencë dhe të reagojnë ndaj këtyre ligjeve, të cilat, e vërteta është, vendosin censurë të rrezikshme ndaj tyre. Vendosin censurë të rrezikshme ndaj tyre!”, tha ai.
