Stamboll, 06 tetor, Zhurnal.mk – Një nxënëse nga një shkollë tjetër sulmoi me thikë tetë nxënës në një shkollë të mesme në qarkun Basaksehir të Stambollit, tha sot guvernatori i Stambollit, Davut Gul.
Pas vizitës në spitalin ku po trajtohen nxënësit e plagosur, Gul u tha gazetarëve se pesë prej tyre kishin marrë plagë të lehta dhe pritej të largoheshin nga spitali më vonë gjatë ditës.
Dy nxënës të tjerë vazhdojnë të marrin trajtim, por plagët e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën. Ndërsa një nxënës tjetër po i nënshtrohej një operacioni.
Guvernatori tha se autorja e sulmit ishte një nxënëse që jeton në të njëjtën zonë me shkollën, por që ndjek një shkollë tjetër.
Sipas tij, ajo hyri në shkollë e veshur me uniformën e saj shkollore dhe sulmoi me thikë nxënësit pa zgjedhur një person të caktuar por në mënyrë të rastësishme.
Sipas burimeve, policia e ndaloi nxënësen dhe nisi hetimet për ngjarjen.
Sulmi ndodhi rreth orës 08:40 të mëngjesit, në një shkollë në lagjen Kayasehir.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin ambulanca në oborrin e shkollës dhe nxënës të alarmuar e të frikësuar.
Dhuna në shkolla ka tërhequr më shumë vëmendje në Turqi këtë vit, pas një seri sulmesh.
Në prill, në provincën lindore Kahramanmaras, ndodhi një sulm me armë zjarri në një shkollë, një ngjarje e rrallë dhe vdekjeprurëse, ku mbetën të vrarë 11 persona, mes tyre një mësues dhe nxënësi që kreu sulmin.
