Dy të rinjtë nga Saraji i Shkupit, të cilët të mërkurën në mbrëmje u sulmuan dhe u rrahën nga pjesëtarë të policisë, pasditen e sotme do të thirren në polici për të identifikuar pjesëtarët e ekipit policor që dyshohet se i keqtrajtuan fizikisht. Pas kësaj procedure, pritet të kompletohet kallëzimi penal, i cili do të përfshijë të paktën një zyrtar policor dhe, jo më vonë se brenda 24 orëve, do t’i dorëzohet Prokurorisë Publike.
Këtë e mëson televizioni Telma nga burime në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).
Në rrjetet sociale është shpërndarë gjerësisht një video që, sipas raportimeve, tregon dhunën e ushtruar ndaj dy të rinjve. Pamjet përputhen me deklaratat e tyre, sipas të cilave, pasi ishin nxjerrë nga automjeti dhe ishin prangosur, policët kishin filluar t’i rrihnin.
Sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për një ekip policor me përbërje të përzier etnike. Polici që dyshohet si kryesori në rast është shqiptar, njësoj si dy të rinjtë e dhunuar. Sipas këtyre informacioneve, kjo e përjashton përkatësinë etnike si motiv të përdorimit të forcës fizike.
