Kallas: Mosmarrëveshjet mes Kroacisë dhe Malit të Zi të mos pengojnë zgjerimin e BE-së

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 15 tetor, Zhurnal.mk – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas bëri thirrje sot që procesi i zgjerimit të BE-së, të mos kushtëzohet nga mosmarrëveshjet dypalëshe, pas kërkesave të paraqitura nga Kroacia ndaj Malit të Zi si kusht për mbështetjen e anëtarësimit të këtij vendi në bllokun evropian, raportoi “Europa Press”.

“Është shumë e rëndësishme që të mos e trajtojmë procesin e zgjerimit si një çështje dypalëshe. Evropa është një kontinent shumë i vogël. Prandaj, duhet të jemi më të fortë së bashku me vendet që janë pjesë e Evropës”, deklaroi Kallas për gazetarët, përpara pjesëmarrjes në takimin e Këshillit Evropian në Bruksel, që zhvillohet më 15 dhe 16 tetor.

Deklarata e saj vjen pasi Kroacia u ka paraqitur vendeve të tjera anëtare të BE-së një dokument me tetë kërkesa që, sipas Zagrebit, Mali i Zi duhet t’i zgjidhë përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit.

Disa prej këtyre çështjeve lidhen me pasojat e luftërave në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me pronat dhe mosmarrëveshjet kufitare.

Tetë kërkesat e Kroacisë ndaj Malit të Zi

Sipas dokumentit të publikuar nga media, gjashtë nga tetë kërkesat lidhen me krimet e luftës, të drejtat themelore dhe çështje të tjera të pazgjidhura, që burojnë nga konfliktet e viteve 1990.

Dy kërkesat e tjera kanë të bëjnë me trashëgiminë e ish-Jugosllavisë dhe mosmarrëveshjet kufitare mes dy vendeve.

Kroacia kërkon dëmshpërblim për më shumë se 300 shtetas kroatë, që u mbajtën në kampin e të burgosurve të Morinjit, në Mal të Zi, nga tetori 1991 deri në gusht 1992.

Zagrebi kërkon gjithashtu që pllaka përkujtimore në vendin ku ndodhej kampi, të mbetet e dukshme dhe të mos mbulohet nga struktura të tjera.

Një tjetër kërkesë është ndryshimi i emrit të pishinës në qytetin malazez të Kotorrit, e cila mban emrin e ish-lojtarit të vaterpolit Zoran Gopçeviç.

Sipas autoriteteve kroate, ai kishte shërbyer si roje në kampin e Morinjit.

Zagrebi kërkon gjithashtu bashkëpunimin e autoriteteve malazeze, për të zbardhur fatin e 14 shtetasve kroatë që rezultojnë të zhdukur nga lufta, si dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, përfshirë rastet që lidhen me përgjegjësinë e eprorëve për veprimet e vartësve të tyre.

Një tjetër çështje e ngritur nga Kroacia lidhet me pretendimet për pronat e familjeve kroate në Mal të Zi, përfshirë 51 familje nga Tivati dhe familje të tjera në zonën e Gjirit të Kotorrit.

Zagrebi kërkon zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve, disa prej të cilave kanë mbetur të pazgjidhura për një kohë të gjatë.

Dy kërkesat e fundit kanë të bëjnë me kthimin e anijes shkollore “Jadran”, të cilën Kroacia e konsideron pronë të saj në bazë të marrëveshjeve, për trashëgiminë e ish-Jugosllavisë, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kufitare tokësore dhe detare mes dy vendeve.

Përplasja rrezikon objektivin e anëtarësimit në vitin 2028

Mali i Zi është ndër vendet më të avancuara në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe synon të bëhet anëtari i 28-të i bllokut në vitin 2028.

Podgorica ka mbyllur përkohësisht 21 nga 33 kapitujt e negociatave, ndërsa Kroacia po pengon përparimin në disa fusha, përfshirë transportin, politikën e jashtme, të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.

Meqenëse vendimet kryesore në procesin e anëtarësimit, kërkojnë miratimin e të gjitha vendeve anëtare, kundërshtimi i Kroacisë mund të ngadalësojë përparimin e Malit të Zi dhe të vërë në rrezik objektivin e anëtarësimit deri në vitin 2028.

Zagrebi argumenton se çështjet e pazgjidhura duhet të marrin përgjigje përpara anëtarësimit të Malit të Zi, duke i cilësuar ato si çështje të të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Nga ana tjetër, qëndrimi i Kallas, nënvizon rëndësinë që procesi i zgjerimit të mos kthehet në një instrument për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes vendeve kandidate dhe shteteve anëtare.

Përplasja mes Zagrebit dhe Podgoricës vë në dukje vështirësitë që mund të krijojnë konfliktet e vjetra dypalëshe, për procesin e zgjerimit të BE-së, në një kohë kur Mali i Zi synon të përfundojë negociatat dhe të përparojë drejt anëtarësimit brenda dy viteve të ardhshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër