Zelensky paralajmëron goditje të reja ndaj sektorit rus të naftës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Kiev, 15 tetor, Zhurnal.mk – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar sulme të reja ndaj rafinerive të naftës në Rusi, pavarësisht kritikave të presidentit amerikan Donald Trump.

Në një intervistë për gazetën “Financial Times”, të publikuar sot, Zelensky deklaroi se kufizimet ndaj sulmeve ukrainase mbi infrastrukturën ruse të përpunimit të naftës nuk janë më në fuqi. “Kufizimi për sulmet ndaj rafinerive ka marrë fund. Nuk do të vazhdojmë më kështu”, u shpreh ai.

Presidenti Zelensky shprehu gjithashtu shqetësimin për mungesën e të dhënave të zbulimit amerikan, të cilën e cilësoi të rrezikshme, si dhe për kufizimin e njëkohshëm të shërbimit të internetit satelitor “Starlink”, që përdoret nga ushtria ukrainase.

Sipas tij, presioni vjen në një kohë kur Rusia po intensifikon sulmet ndaj Ukrainës.

Megjithatë, presidenti ukrainas nuk dha hollësi për operacionet e ardhshme, duke thënë se Kievi do të gjejë një mënyrë për t’i përballuar vështirësitë. Ai shtoi se Ukraina merr informacione edhe nga agjenci të tjera perëndimore të zbulimit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar luftën në Ukrainë për rritjen e çmimeve të naftës dhe karburanteve, veçanërisht të naftës diezel, ndërsa ka akuzuar Zelenskyn se nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.

Ndërkohë, Zelensky ka kritikuar vazhdimisht marrëveshjen e diskutuar mes Trumpit dhe presidentit rus Vladimir Putin, sipas së cilës SHBA-ja synon të importojë naftë diezel nga Rusia për të ulur çmimet e larta të karburanteve, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndaj Moskës.

Zelensky tha se zyrtarë ushtarakë amerikanë u kishin thënë homologëve të tyre ukrainas se nuk do të ofronin më të dhëna të zbuiimit, nëse Ukraina nuk do të ndalonte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Njëkohësisht, sipas tij, shërbimi “Starlink” i cili është thelbësor për ushtrinë ukrainase, ishte kufizuar. “Nuk ishte problem teknik, ishte çështje vullneti,” u shpreh Zelensky.
Miliarderi amerikan i teknologjisë, Elon Musk, kishte deklaruar se ushtria amerikane dhe presidenti kishin autoritetin për të vendosur mbi kufizimin e përdorimit ushtarak të Starlink-ut. Në një postim në platformën e tij X, ai gjithashtu tha se kishte ardhur koha që Zelensky të largohej nga detyra. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër