Lituania zgjat praninë ushtarake në kufirin me Kaliningradin

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Vilnius, 16 tetor, Zhurnal.mk – Lituania do të zgjasë deri në mesin e nëntorit masat e shtuara të sigurisë ushtarake në kufirin me enklavën ruse të Kaliningradit, në Detin Baltik, si masë paraprake, deklaroi sot ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas.

“Një nga arsyet e këtij vendimi është mundësia e një fluksi refugjatësh nga rajoni i Kaliningradit dhe rreziku që kjo mund të sjellë për kalime të paligjshme të kufirit”, tha ai.

Vendimi lidhet me raportimet për një mobilizim të mundshëm në Rusi pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Këto raportime kanë ngritur shqetësime se shtetasit rusë të moshës për rekrutim ushtarak, që jetojnë në Kaliningrad, mund të largohen nga vendi në rast të një mobilizimi të tillë.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se vendimi u mor me kërkesë të ministrit të Brendshëm, Martynas Katelynas.

Megjithatë, sipas ministrisë, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Lituanisë nuk ka identifikuar ndryshime të rëndësishme në aktivitetin ushtarak në rajonin e Kaliningradit.

Rreth 100 ushtarë janë dislokuar në kufi që nga fillimi i tetorit.

Lituania kufizohet me Kaliningradin, si dhe me Bjellorusinë, aleate të Rusisë. Që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, ky shtet baltik, anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e konsideron veten veçanërisht të ekspozuar ndaj rreziqeve të sigurisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër