I tha bashkëshortit se po dilte të blinte cigare, u gjet e zhveshur në një makinë të aksidentuar me një tjetër burrë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Një aksident i pazakontë me përfundim tragjik ka ndodhur në Portugali, ku një 49-vjeçare nga Brazili ka humbur jetën pasi makina në të cilën ndodhej u përmbys. Drejtuesi i automjetit, një 26-vjeçar portugez, u largua nga vendi i ngjarjes, duke e lënë gruan brenda automjetit.

Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të 14 tetorit, në zonën e Odivelasit, pranë Lisbonës.

Sipas informacioneve të policisë, gruaja ishte larguar nga shtëpia duke i thënë bashkëshortit se do të blinte cigare. Megjithatë, ajo nuk u kthye, gjë që e shqetësoi bashkëshortin, i cili raportoi zhdukjen e saj në polici.

Vetëm pak minuta më vonë, gruaja u gjet e zhveshur dhe pa ndjenja në një automjet të përmbysur, pranë një pike karburanti.

Punonjësit e pikës së karburantit, të cilët kishin qenë dëshmitarë të aksidentit, njoftuan policinë rreth orës 03:00 të mëngjesit. Ata deklaruan se kishin parë një burrë pa bluzë duke dalë nga makina dhe duke u larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes.

Kur mbërritën ekipet e shpëtimit, gruaja ishte në arrest kardiak dhe respirator. Pavarësisht përpjekjeve për reanimim, mjekët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën.

Policia po heton nëse dy personat kishin kryer marrëdhënie seksuale ndërsa automjeti ishte në lëvizje. Dyshimet bazohen në dëshmitë e personave që panë ngjarjen dhe në pozicionin në të cilin u gjet gruaja, e cila dyshohet se nuk kishte përdorur rripin e sigurimit.

Drejtuesi i automjetit, i cili është edhe pronari i tij, më vonë u paraqit vetë në stacionin policor, i shoqëruar nga një avokate, dhe konfirmoi se kishte qenë në timon.

Hetuesit kanë kryer ekzaminime forenzike të automjetit, ndërsa po shqyrtohen të gjitha rrethanat që çuan në përmbysjen e tij.

Deri më tani, nuk është konfirmuar zyrtarisht se çfarë ka ndodhur saktësisht brenda automjetit para aksidentit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër