Shkup, 17 tetor Zhurnal.mk – Është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në Klinikën Universitare të Psikiatrisë në Shkup për shkak të stresit të lidhur me dhunën e përjetuar në familje ose nga partneri. Psikiatrit e klinikës kanë analizuar në mënyrë retrospektive të dhënat elektronike shëndetësore në sistemin “Termini Im”, për periudhën nga janari i vitit 2025 deri në korrik të vitit 2026, duke shqyrtuar diagnozat F43, që lidhen me çrregullimet e shkaktuara nga stresi, me qëllim identifikimin e rasteve të lidhura me dhunën në familje ose nga partneri.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025 janë evidentuar 79 persona me vështirësi shëndetësore të lidhura me dhunën e përjetuar në familje ose nga partneri, ndërsa vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar 101 raste. Kjo do të thotë se numri i rasteve të evidentuara gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti tashmë e ka tejkaluar totalin për tërë vitin 2025.
Këto të dhëna mjekësore i prezantoi prof. dr. Slavica Arsova gjatë ligjëratës me temë “Aspektet forenzike të dhunës në familje: epidemiologjia, pasojat në shëndetin mendor dhe roli terapeutik dhe forenzik i psikiatrit”, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Psikiatrinë Forenzike 2026, e cila po mbahet këtë fundjavë në Ohër.
Numri më i madh i rasteve gjatë vitit 2026 është evidentuar në mars, me 27 raste, në prill me 23 dhe në qershor me 21 raste. Kjo periudhë përkon me ngjarjen tragjike në Shkup, kur një nënë, së bashku me fëmijën e saj, u hodh nga ballkoni, si pasojë e dhunës së vazhdueshme në familje që kishte përjetuar.
Prof. dr. Arsova theksoi se shifrat e Klinikës së Psikiatrisë duhet të interpretohen si raste të regjistruara në dokumentacionin mjekësor dhe se ato, në vetvete, nuk dëshmojnë domosdoshmërisht se dhuna në shoqëri është rritur. Ndryshimi mund të lidhet edhe me identifikimin më të mirë të rasteve, dokumentimin më të saktë, referimin e pacientëve ose me angazhimin më të madh të institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Analiza e dokumentacionit mjekësor tregon se vështirësitë psikologjike të lidhura me dhunën në familje ose dhunën nga partneri intim, të manifestuara përmes reagimit akut ndaj stresit, çrregullimit të stresit posttraumatik ose vështirësive në përshtatje, janë evidentuar te pacientë të grupmoshave të ndryshme.
Mosha mesatare e pacientëve në analizë është 40 vjeç. Janë evidentuar 19 pacientë nën moshën 18-vjeçare dhe 29 pacientë të moshës 60 vjeç e lart. Sa i përket gjinisë, gratë janë të përfaqësuara tri herë më shumë se burrat.
Të dhënat e Klinikës së Psikiatrisë përputhen me prirjen më të gjerë në vend. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i denoncimeve për dhunë në familje është rritur nga 4.421 në vitin 2022 në 5.436 në vitin 2025, që paraqet një rritje prej 23 për qind.
Gjatë vitit 2025, në kategoritë e evidentuara nga MPB-ja, më së shpeshti si viktima të dhunës në familje janë regjistruar bashkëshortet, me 1.438 raste, prindërit me 1.000 raste dhe ish-bashkëshortët me 708 raste.
Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 1.195 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, krahasuar me 1.117 të tilla në vitin 2022.
Gjatë ligjëratës u theksua nevoja që profesionistët shëndetësorë t’i pyesin pacientët për sigurinë e tyre, duke u krijuar një hapësirë të sigurt për të folur. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e dokumentimit sistematik të llojit dhe kohëzgjatjes së dhunës, si dhe respektimit të protokolleve për përfshirjen e të gjitha institucioneve kompetente.
Identifikimi në kohë i dhunës është thelbësor për ofrimin e mbështetjes së duhur psikiatrike, vlerësimin e rrezikut dhe orientimin e pacientëve drejt mekanizmave të nevojshëm të mbrojtjes.
