Tetovë, 18 tetor, Zhurnal.mk – Në objektet fetare në territorin e Tetovës janë denoncuar tri tentativa për vjedhje të rëndë dhe një vjedhje, të ndodhura më 16 dhe 17 tetor. Policia ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në këto vepra penale, përcjell Zhurnal.mk.
Sipas njoftimit të Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë, në objektin fetar “Firdeus”, në rrugën “Van Vardarska”, gjatë periudhës nga 16 deri më 17 tetor, një person i panjohur ka hapur me forcë dritaren e ambienteve të bodrumit dhe ka tentuar të hapë edhe derën e tij. Pas kësaj, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.
Një tjetër tentativë është regjistruar në “Xhaminë e Madhe”, në rrugën “Çarshia e Epërme”. Rreth orës 05:30, një person ka hyrë në objekt dhe fillimisht ka tentuar të gjejë çelësin, ndërsa më pas, me një mjet metalik, ka tentuar të dëmtojë dhe të hapë derën. Edhe në këtë rast, personi është larguar pa përfunduar veprimin.
Ndërkaq, në xhaminë “Eski”, në rrugën “Probishtipska”, personi përgjegjës A.B. (38) nga Tetova ka denoncuar se një person i panjohur ka tentuar të hapë dhe ka dëmtuar kasafortën metalike. Kasaforta është gjetur e zhvendosur nën karrige.
Pas masave operative të ndërmarra, më 17 tetor, në orën 12:30, në rrugën “Boris Kidriç” në Tetovë, policia ka privuar nga liria D.S. (35) nga fshati Jelovjanë.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë në tentativë”, të dënueshme sipas nenit 235 të Kodit Penal.
Nga SPB Tetovë bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër të dyshuarit do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
