Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama, zhvilloi mëngjesin e sotëm një takim në ministrinë e Punëve të Brendshme me ministrin Ervin Demo si dhe me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, në lidhje me protestat e ditëve të fundit në kryeqytet.
Kreu i qeverisë shprehu mirënjohjen për punën e policisë, teksa theksoi se “nuk ka negociata me gur”.
Rama theksoi se shteti nuk mund të negociojë me dhunën dhe se pasojat e saj mund të lënë plagë që kërkojnë vite për t’u shëruar.
“Më mirënjohje dhe respekt për gjithë ju edhe për të gjithë ata që në drejtimin tuaj po përballen me dinjitet, me forcë, me kurajë, me një valë dhune e cila nuk ka të bëjë aspak me asnjë nga arsyet që janë legjitime të qytetarëve në një vend të lirë e demokratik, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria.
“Kam ardhur prapë sot me këtë (gur) në vete, sepse vërtet duhet ta mbash në dorë, ta peshosh, duhet të llogarisësh sa i shtohet kjo kur vjen në drejtimin e njerëzve në uniformë dhe se çfarë mund të bëjë mbi këtë. Me këtë nuk negociohet. Dhe me kudo që vjen përpara, këtë nuk negociohet. Sepse në momentin kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Dhe në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë dhe ka parë se si pasojat e këtij janë plagë që duan vite të tëra për t’u shëruar”, tha Rama.
Rama shtoi se “natyrisht që kjo nuk do të thotë aspak, që kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse dhe vajzat e djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje”.
Sipas tij, “janë të rinj dhe të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar në trysninë apo në frymëzimin e asaj force të errët dhe të reja që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, Antifa. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i Shteteve të Bashkuara”.
Rama theksoi se “kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë, aspak. Janë studentë dhe studente, po patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse, po patjetër”.
Por shtoi kreu i qeverisë “janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, kthe gjithçka në përmbysë, rrëno gjithçka, bëj rrafsh se do ta fillojmë nga e para”
“Ata që janë këtu pak më në moshë i kanë ende kujtimet e asaj kohe, nga ku ne dolëm pas 50 vitesh iluzion se do bëjë rrafsh dhe do fillonte nga e para” tha Rama.
