Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, reagoi sot dëmet e shkaktuara në Tiranë nga protestat e dhunshme të ditëve të fundit, duke theksuar se pasojat do të prekin të gjithë qytetarët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ibrahimaj ndau pamje nga stacionet e autobusëve të shkatërruara, bizneset e dëmtuara, ndërtesat e djegura dhe institucionet e sulmuara.
“Kjo është Tirana jonë pas dhunës disaditore. Stacione autobusi të shkatërruara, biznese të dëmtuara, ndërtesa të shkrumbuara, institucione të sulmuara. Dhuna nuk ka kursyer as postën ku pensionistët marrin pensionet dhe ka vërshuar mbi bankat, ku marrim pagat e paguajmë faturat”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj theksoi se dëmet kanë prekur edhe sipërmarrjet dhe investimet e qytetarëve që punësojnë njerëz dhe sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre.
“Investimet e njerëzve të ndershëm, që mbajnë familjet e punësojnë të tjerë, sot janë goditur”, deklaroi ajo.
Ministrja nënvizoi se pasojat e dhunës nuk kufizohen vetëm te dëmet materiale, por ndikojnë edhe në sigurinë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
“Dhuna nuk ka kursyer asgjë dhe askënd. Pasojat e Tiranës sot do t’i vuajmë të gjithë nesër. Ne meritojmë një të ardhme ndryshe, jo kaosin dhe pasigurinë që po përjetojmë!”, përfundoi Ibrahimaj.
