Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, reagoi sot ndaj deklaratave të kryeministrit Rama në takimin e mëngjesit me drejtues të policisë, ku ai u shpreh se PD iu dha strehim politik protestuesve të dhunshëm.
Sipas Garos, ky është skenar i Ramës për të sulmuar selitë e opozitës.
“Rama ka për qëllim të heqë paralele midis protestës legjitime të studentëve dhe gjimnazistëve në Shqipëri dhe protestave të organizuara nga ekstremi i djathtë apo i majtë i Antifa-s në disa vende të Evropës”, deklaroi ajo
Në një deklaratë për mediet, Garo tha se “Edi Rama kërkon të manipulojë opinionin publik shqiptar dhe atë ndërkombëtar, sikur qëllimi i revoltës së studentëve dhe gjimnazistëve në Shqipëri nuk është lufta kundër narkoregjimit, vjedhjeve dhe korrupsionit të papërmbajtur të tij, rrethit të tij familjar dhe narkoqeverisë si organizatë kriminale, apo lufta kundër kostos së papërballueshme të jetesës e shpopullimit masiv, por sikur, njësoj si Antifa, ka për qëllim anarkinë, kaosin dhe shkatërrimin”.
Zëdhënësja e PD-së përfundoi duke deklaruar se PD, pavarësisht atyre që ajo i cilësoi provokime, mbetet e vendosur të mbështesë me të gjithë potencialin e saj revoltën e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, deri në rrëzimin përfundimtar të Ramës.
