Lidhja Shqiptare mbajti Kuvendin e Degës së Tetovës, Arlind Murtezani zgjidhet Kryetar i degës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 tetor, Zhurnal.mk – Dega e Lidhjes Shqiptare në Tetovë mbajti Kuvendin Zgjedhor në të cilin, kuvendarët njëzëri zgjodhën për kryetar dege, Arlind Murtezanin, aktualisht këshilltar komunal në Komunën e Tetovës. Në këtë mbledhje u zgjodh edhe kryesia e re e degës.

Pas zgjedhjes, Arlind Murtezani u bëri thirrje për mobilizim maksimal strukturave dhe anëtarësisë së Lidhjes Shqiptare, duke u zotuar se do të angazhohet që Lidhja Shqiptare të rikthehet fuqishëm aty ku e ka vendin në skenën politike.
Ai theksoi se sot VLEN-i dhe BDI-ja duket sikur po bëjnë garë se cila do të jetë e keqja më e madhe për shqiptarët. “Në këto rrethana, Lidhja Shqiptare mbetet alternativa e vetme për shqiptarët që kërkojnë dinjitet, përfaqësim të vërtetë dhe një politikë në shërbim të qytetarëve”, tha Murtezani.

Punimet e Kuvendit të degës nga afër i ndoqi edhe Kryetari i Lidhjes Shqiptate, Ziadin Sela dhe Kryetari i Kuvendit të partisë, deputeti Elmi Aziri.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, kryetari Sela, uroi Murtezanin për përgjegjësinë e re duke theksuar rëndësinë e degës së Tetovës dhe ringritjen e Lidhjes Shqiptare në partinë më të fuqishme në këtë qytet dhe në mbarë vendin.

Kryetari Sela potencoi rezistencën e strukturave të partisë dhe mbrojtjen e pakompromis të Kauzës Kombëtare në një kohë kur skena politike shqiptare përballet me sfida të vështira dhe devalvohet nga parti e politikanë që për interesa personale kanë shkelur interesat e shqiptarëve në vend.

Në mbledhjen e Kuvendit të pranishëm ishin edhe anëtarët e Kryesisë së partisë Vjollcë Berisha, Adnan Neziri dhe Bekim Tateshi.

Kuvendi i degës së Tetovës hapi procesin e mbledhjes së kuvendeve të Lidhjes Shqiptare në të gjitha degët dhe strukturat e tjera lokale në mbarë vendin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër