Cvetanoski: Çdo i treti punëtor në RMV jeton me pagë nën pragun e varfërisë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 tetor, Zhurnal.mk – Të dhënat e fundit sindikale tregojnë se 33 përqind e punëtorëve në Maqedoni mbijetojnë me pagë nën pragun e varfërisë, pra nga gjithsej 540.000 të punësuar, rreth 180.000 persona marrin më pak se 31.200 denarë në muaj, njoftoi Simona Cvetanoski, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM.

Sipas pretendimeve të partisë, këta qytetarë punojnë çdo ditë dhe japin mund, por nuk kanë mjete për një jetë të denjë.

“Shporta konsumatore është mbi 70 mijë denarë, e me qira shkon edhe mbi 90 mijë denarë. As tre paga nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet bazë të jetesës”, deklaroi Cvetanoski, duke shtuar se punëtorët në vend “mezi lidhin fundin me fund, me pagat më të ulëta në Evropë”.

Nga LSDM theksojnë se realiteti është rezultat i vendimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski, pretendimet e të cilit për rritje ekonomike janë demantuar edhe nga Banka Botërore, e cila ka konkluduar se standardi maqedonas është një e treta e atij evropian.

Nga foltorja e partisë u theksua se po të ishte pranuar propozimi i LSDM për pagë minimale prej 600 euro, këta persona nuk do të kishin mbetur nën pragun e varfërisë.

“Por, hajnia Mickoski dhe qeveria e tij e refuzuan propozimin. Refuzuan t’u ndihmojnë punëtorëve, refuzuan të vlerësohet mundi i tyre. Kanë 5,5 milionë euro për një natë për një DJ, kanë për tenderë dhe provizione, nuk kanë para për punëtorët”, theksoi Cvetanoski.

Për më tepër, nga partia opozitare paralajmëruan për vrima serioze buxhetore – 900 milionë euro në buxhet dhe rreth një miliard euro për pensionet. Sipas akuzave të tyre, vetëm për dy vite borxhi shtetëror është rritur për rreth 4 miliardë euro, ndërsa shpenzimet vjetore për interesa kanë arritur 350 milionë euro.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër