Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Pas informacioneve të marra se një person është zhdukur në afërsi të lumit Vardar në zonën e Gostivarit, nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë informuar se kanë aktivizuar të gjitha ekipet në terren për realizimin e operacionit për kërkim-shpëtim.
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim DMSh ka aktivizuar ekipe në terren për të gjetur një person të zhdukur, për të cilin ka indikacione se është parë pranë Lumit Vardar në zonën e Gostivarit, pas një kërkese zyrtare nga Stacioni i Policisë së Gostivarit. Zëvendësdrejtori i DMSh-së, Kashmir Saliu, është gjithashtu në vendngjarje me ekipet. Në operacionin e kërkim-shpëtimit përfshihen edhe anëtarë të Ekipit të Reagimit të Shpejtë për shpëtim në ujë të Drejtorisë, me logjistikën përkatëse nga Departamenti Rajonal i DMSh- Gostivar. Ekipet po punojnë në koordinim të ngushtë me oficerët e policisë nga Departamenti Rajonal i Policisë së Gostivarit dhe shërbimet lokale, me qëllim që të lokalizohet personi sa më shpejt të jetë e mundur. Kërkimi po zhvillohet intensivisht përgjatë rrjedhës së Lumit Vardar, duke filluar nga pikat kritike në qytet dhe deri në zonat poshtë rrjedhës.”, thuhet në kumtesën e DMSh-së.
Nga kjo drejtori po ashtu kanë njoftuar se pavarësisht kushteve aktuale në terren dhe specifikave të shtratit të lumit, ekipet do të jenë të angazhuara deri në përfundimin e plotë të operacionit.
DMSh-ja u bën thirrje qytetarëve të Gostivarit dhe vendbanimeve përreth, nëse kanë ndonjë informacion në lidhje me personin e zhdukur ose vërejnë diçka përgjatë shtratit të lumit, ta raportojnë menjëherë në numrat e detyrës së policisë ose në shërbimet kompetente të mbrojtjes dhe shpëtimit, si dhe në numrin 112 të QMK-së.
