Moment i ri në rastin “Lotaria”: Kush e miratoi furnizimin me terminalet VLT?

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Ish-anëtari i Bordit Drejtues të “Lotarisë Shtetërore”, Hrista Najdanov, i cili dëshmoi në procesin gjyqësor kundër ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe shtatë të akuzuarve të tjerë, deklaroi se nuk i kujtohet që Bordi Drejtues të ketë miratuar një vendim të veçantë për furnizimin me terminalet e videolotarisë (VLT). Nga ana tjetër, mbrojtja pretendon se procedura ka qenë e ligjshme dhe se për të ekzistojnë vendime të organeve kompetente.

Najdanov ka qenë anëtar i Bordit Drejtues në dy mandate, nga viti 2017 deri në vitin 2024, me propozim të DOM-it, parti që në atë periudhë ishte pjesë e koalicionit qeveritar.

“Kështu zgjidheshin anëtarët e Bordit Drejtues dhe të Bordit Mbikëqyrës. Supozoj se edhe anëtarët e tjerë janë propozuar në të njëjtën mënyrë, nga partitë e tyre politike. Kjo praktikë vazhdon ende. Nuk hyj në vlerësime nëse është e mirë apo e keqe”, tha Najdanov, i cili ka punuar si sekretar në një gjimnaz të Shkupit.

Ai dëshmoi se gjatë periudhës kur drejtore ka qenë Katica Nikollovska-Parnakova, mbledhjet zhvilloheshin me prani fizike, me mundësi për diskutime dhe sqarime shtesë nga drejtuesit. Pas ardhjes së Perparim Bajramit, mbledhjet fillimisht vazhduan në të njëjtën mënyrë, por rreth vitit 2021 një pjesë e materialeve filluan të dërgoheshin në formë elektronike.

“Për shkak të urgjencës, materialet ndonjëherë na dërgoheshin në mëngjes dhe duhej të përgjigjeshim deri pasdite. Ndonjëherë nuk kisha kohë t’i shqyrtoja me kujdes. Në 99 për qind të rasteve, përgjigjet e anëtarëve ishin pozitive. Nuk kishim mundësi t’u drejtoheshim shërbimeve për sqarime shtesë. Nuk jemi të gjithë ekspertë për çdo çështje”, tha Najdanov.

Lidhur me furnizimin e aparateve të lojërave të fatit në vitin 2023, ai konfirmoi se ishte diskutuar zgjerimi i veprimtarisë së “Lotarisë Shtetërore” dhe formimi i një shoqërie të re për video-lojëra, si dhe fizibiliteti i saj, por nuk i kujtohet që Bordi Drejtues të ketë miratuar një vendim të posaçëm për furnizimin.

“E kam ditur se në plan ishte paraparë furnizimi me aparate VLT. Por, sa më kujtohet, ne nuk kishim miratuar një vendim të veçantë për blerjen e tyre”, deklaroi dëshmitari.

Najdanov konfirmoi se është diskutuar edhe mundësia që “Lotaria Shtetërore” të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit. Për furnizimin konkret të aparateve, ai tha se ishte informuar përmes mediave dhe rrjeteve sociale.

Avokati Elenko Millanov, i cili mbron Bajramin, argumentoi se fakti që dëshmitarit nuk i kujtohen vendimet nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Ai theksoi se Bordi Drejtues miraton planet financiare dhe planin e prokurimeve publike, ndërsa në këtë rast ekziston edhe një vendim i Bordit Mbikëqyrës, i miratuar në bazë të nenit 33 të Statutit.

“Bordi Mbikëqyrës merr vendim me të cilin obligon që kjo të realizohet. Konsideroj se një vendim i tillë është plotësisht në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Tregtare dhe se në këtë drejtim nuk ka absolutisht asnjë pengesë”, tha Millanov.

Ai shtoi se bëhej fjalë për një marrëveshje me vlerë të madhe, e cila tejkalonte 20 për qind të vlerës së kompanisë, dhe se vendimmarrja ishte në kompetencë të Bordit Mbikëqyrës. Sa i përket vendimmarrjes elektronike, Millanov theksoi se kjo praktikë kishte filluar gjatë pandemisë, kur institucionet merrnin vendime pa praninë fizike të më shumë personave në të njëjtin ambient.

Grubi tashmë paraqitet në seancat gjyqësore pa sigurim policor, pasi ka skaduar afati ligjor i arrestit shtëpiak dhe ai mbrohet në liri. Prokuroria e ngarkon atë se gjatë viteve 2023 dhe 2024, së bashku me ish-drejtorin e “Lotarisë Shtetërore”, Perparim Bajramin, dhe gjashtë persona të tjerë, kanë mundësuar dhe miratuar në mënyrë të paligjshme furnizimin me aparate të videolotarisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër