Tiranë, 23 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kush e mori peng kryeqytetin duke eksportuar këtu terrorin e ANTIFA- s dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve e duke u vënë në ballë të studentëve përmes fytyrës së mbuluar duhet ta di se do të përgjigjet”.
“Do të përgjigjet ligjërisht, do të përgjigjet penalisht, do të përgjigjet sipas shkallës së shkeljes së bërë, sipas shkallës së keqkuptimit të madh”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.
Rama shtoi se “keqkuptimi i madh ky që të mendosh se mund t’i imponohesh një populli të tërë, mund t’i imponohesh një komuniteti të tërë, mund t’i imponohesh familjeve të zakonshme të këtij vendi që duan të shkojnë në punë me gjuhën e gurit dhe të zjarrit”.
Ai nënvizoi se ky keqkuptim shumë i madh do të kthehet në një mësim shumë të rëndësishëm për këdo që besoi se përmes këtij keqkuptimi do të ndryshonte rrugën e Shqipërisë.
“Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon. Shqipëria do të vazhdojë drejtë dhe Shqipëria do të çojë atje në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut dhe Shqipëria do të jetë pjesë e atij Bashkimi Europian që nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh”, deklaroi Kryeministri Rama.
