Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Xhepa bosh, frigoriferë të zbrazët dhe një Qeveri që, sipas opozitës, përpiqet t’i mbulojë problemet ekonomike me propagandë dhe sulme politike. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, duke pretenduar se prej vitesh është shënjestër e një fushate të organizuar për diskreditimin e tij personal dhe politik.
Në një intervistë për televizionin Alsat-M, Filipçe deklaroi se sulmet ndaj tij nuk janë të rastësishme, por pjesë e një strategjie të pushtetit për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga gjendja ekonomike, menaxhimi i financave publike dhe premtimet e parealizuara. “Gjatë këtyre viteve, kush është marrë me rrënimin e reputacionit tim personal? Vetëm Hristijan Mickoski dhe propaganda e tij, të cilën e udhëheq Llatas, bashkë me gjithë atë rreth njerëzish që e shoqërojnë”, deklaroi Filipçe. Ai pretendon se ndaj tij janë zhvilluar vazhdimisht sulme publike dhe përpjekje për diskreditim, me qëllim dobësimin e pozitës së tij politike dhe shmangien e debatit për problemet reale të qytetarëve.
Sipas liderit të LSDM-së, pushteti po përpiqet ta zëvendësojë debatin për ekonominë dhe standardin jetësor me përplasje politike dhe akuza personale. “Gjithçka janë fraza boshe, gjithçka është propagandë, gjithçka është shmangie e vëmendjes. Pse? Sepse punët në shtet nuk po shkojnë mirë”, tha Filipçe. Ai vlerëson se qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike, ndërsa Qeveria, sipas tij, nuk po ofron përgjigje konkrete për përmirësimin e standardit të jetesës.
Në këtë kontekst, Filipçe kritikoi edhe politikën buxhetore të ekzekutivit, duke e cilësuar paralajmërimin për rebalancin e dytë të Buxhetit si tregues të problemeve në menaxhimin e financave publike. “Xhepat janë bosh, frigoriferët janë bosh. Pse rebalanci i dytë? E dini pse bëhet rebalanci i dytë? Për t’i mbushur vrimat”, deklaroi ai.
Sipas Filipçes, ndryshimet e paralajmëruara buxhetore dëshmojnë se Qeveria po përballet me vështirësi financiare, ndërsa ai e akuzoi pushtetin se nuk po siguron mjete të mjaftueshme për pagat dhe pensionet.
Kryetari i LSDM-së iu referua edhe premtimeve të Mickoskit gjatë fushatës zgjedhore, veçanërisht atyre për rritjen e standardit jetësor, përparimin e integrimit evropian dhe rishikimin e Marrëveshjes së Prespës. Sipas Filipçes, një pjesë e madhe e këtyre premtimeve nuk është realizuar, ndërsa retorika patriotike e përdorur para zgjedhjeve, siç pretendon ai, nuk është shoqëruar me rezultate konkrete gjatë qeverisjes. “Mund të luani një herë me emocionet e qytetarëve, duke u paraqitur si patriotë dhe mbrojtës të identitetit dhe gjuhës. Por kur ata shohin se janë mashtruar dhe se keni ardhur në pushtet me një fushatë të rreme, qytetarët tashmë e kanë kuptuar”, deklaroi Filipçe. Ai theksoi se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk mund të merren nga askush, duke vlerësuar se këto çështje nuk duhet të përdoren për manipulime politike. Sipas tij, qytetarët gjithnjë e më shumë po e dallojnë hendekun ndërmjet mesazheve parazgjedhore dhe rezultateve të qeverisjes.
Filipçe këmbëngul se debati politik duhet të përqendrohet te rezultatet e Qeverisë, gjendja ekonomike, pagat, pensionet dhe perspektiva evropiane e vendit, e jo te fushatat e ndërsjella të diskreditimit. Ai vlerëson se përpjekjet për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit nuk mund t’i zëvendësojnë politikat konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
