Zv/ministri Iseni nënshkruan suspendimin e 6 policëve të dyshuar për dhunën ndaj dy të rinjve shqiptarë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 tetor Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, të premten ka nënshkruar vendimet për suspendimin e gjashtë punonjësve policorë, pas dyshimeve për përdorim të tepruar të forcës fizike ndaj dy të rinjve shqiptarë gjatë ngjarjes së 7 tetorit në Shkup.

Pas shqyrtimit të incizimeve, dëshmive dhe kontrolleve të realizuara nga Kontrolli i brendshëm, janë konstatuar parregullsi të rënda në veprimet e policëve.

Iseni ka theksuar se uniforma policore nënkupton përgjegjësi për mbrojtjen e qytetarëve dhe se çdo keqpërdorim i saj cenon dinjitetin e tyre, besimin te policia dhe autoritetin e shtetit.

“Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, qëndrimi im është i prerë: përdorimi i forcës është i papranueshëm dhe çdo shkelje e konstatuar kërkon përgjegjësi”, pati deklaruar Iseni.

Ai ka thënë se përgjegjësia nuk përfundon me suspendimin, pasi institucionet kompetente po vazhdojnë procedurat për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë eventuale.

“As uniforma, as funksioni dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit”, ka deklaruar Iseni duke shtuar njëjerësh se qytetarët meritojnë siguri, dinjitet dhe një polici që e ushtron autoritetin me profesionalizëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër