Venera Azizi: Letërnjoftimi dhe patenta digjitale janë edhe në gjuhën shqipe

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 tetor, Zhurnal.mk – Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, ka reaguar ndaj pretendimeve lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në dokumentet digjitale, duke theksuar se letërnjoftimi dhe patenta e shoferit në format digjital janë të qasshme edhe në gjuhën shqipe.

Përmes një reagimi publik, Latifi Azizi ka theksuar se gjuha shqipe do të jetë e pranishme në dokumentet digjitale, njësoj si në dokumentet fizike, ndërsa ka bërë të ditur se aktualisht po punohet për eliminimin e disa gabimeve teknike.

“Gjuha shqipe është dhe do të jetë e pranishme në dokumentet digjitale, njësoj si në dokumentet fizike!”, theksohet në reagimin e saj.

Ajo ka kundërshtuar atë që e cilëson si përhapje të dezinformatave dhe krijim të paqartësive rreth kësaj çështjeje, duke kërkuar që debati publik të mbështetet në fakte dhe rezultate konkrete.

Sipas Latifi Azizit, digjitalizimi i letërnjoftimit dhe patentës së shoferit përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve publike, lehtësimit të procedurave administrative dhe kursimit të kohës së qytetarëve.

Ajo ka nënvizuar gjithashtu se përdorimi i gjuhës shqipe nuk duhet të shndërrohet në objekt debati propagandistik, por të trajtohet si një e drejtë që duhet respektuar dhe zbatuar.

“Gjuha shqipe nuk është objekt propagande, por e drejtë që duhet respektuar dhe zbatuar”, thekson në reagim.

Ajo ka shtuar se institucionet do të vazhdojnë me realizimin e reformave dhe me avancimin e shërbimeve digjitale, duke lënë të kuptohet se, pavarësisht kritikave, fokusi duhet të mbetet te puna dhe rezultatet konkrete.

“Sepse arritjet nuk zbehen nga dezinformatat!”, përfundon reagimi i zëdhënëses Azizi.

artikuj të ndërlidhura