A do t’i pastrojë bora viruset? Epidemiologia Bajrami apelon për vaksinim: Piku i gripit në shkurt

nga Xh M

Shkup, 21 janar – Kur bie borë, populli thotë se kjo “i vret viruset” dhe ajri pastrohet, por çfarë thonë ekspertët? “Unë besoj se kjo duhet të jetë e vërtetë, jo vetëm virozat por sepse ambienti në Shkup është shumë i ndotur, e kjo i zhduk edhe grimcat e imëta, kështu që besoj se do të qetësohet pak gjendja e gripit dhe njerëzit rrinë mbyllur, nuk kanë shumë kontakte me njerëz të tjerë, kështu që shpresoj të qetësohet pak a shumë situata”, tha Lulzime Bajrami – Epidemiologe nga Qendra për Shëndet Publik.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, sezoni i gripit sivjet ka nisur më herët dhe ka përfshirë një numër më të madh të personave të prekur. Sipas epidemiologëve, aktualisht vihet re aktivitet mesatar i virusit, por me një kohëzgjatje më të gjatë se zakonisht. Sipas parashikimeve, kulmi i gripit pritet të arrihet në mesin e muajit shkurt, çka nënkupton se rastet do të vazhdojnë të rriten edhe në javët në vijim. Epidemiologia Lulzime Bajrami rekomandohet për të gjithë qytetarët vaksinimin si një nga mënyrat më efektive për mbrojtje nga format më të rënda të gripit.

“Si zakonisht vetëm se zgjat pak më tepër, ndoshta edhe imuniteti i njerëzve ka rënë sepse nuk vaksinohen, por unë them theks duhet te vaksinimi, duhet patjetër të vaksinohen për shkak se e vetmja mbrojtje që mund të jetë efikase është vaksinimi”, shtoi Bajrami.

Simptomatologjia manifestohet me temperaturë të lartë, kollë, dhimbje muskujsh dhe lodhje të përgjithshme, herë pas here edhe barkëqitje, thotë Bajrami.

Epidemiologët theksojnë se, edhe pse aktualisht nuk bëhet fjalë për nivel alarmues, situata kërkon vëmendje të shtuar, veçanërisht te grupet më të rrezikuara si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Nesër priten të dhënat e fundit mbi situatën me gripin nga Instituti i Shëndetit Publik, ndërsa në periudhën nga 5 deri më 11 janar janë regjistruar 2.322 raste të gripit që paraqet një rritje prej rreth 36% krahasuar me javën paraprake dhe dyfish më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More