A e shtojnë numrin e punëtorëve sezonal ndryshimet e reja ligjore?

nga I.A

Shkup, 5 janar – Ndryshimet e reja ligjore që hynë në fuqi nga janari synojnë të japin një përgjigje konkrete ndaj mungesës së fuqisë punëtore sezonale në vend. Duke u lejuar pensionistëve, studentëve dhe përfituesve të ndihmës sociale të punojnë pa humbur të drejtat e tyre bazë, shteti pretendon se po krijon kushte për rritjen e numrit të punëtorëve sezonal dhe për formalizimin e tregut të punës. Por a mjaftojnë këto masa për ta arritur këtë qëllim? shkruan Zhurnal.

Çfarë do të ndodhë me punëtorët sezonal?

Ligji i ri heq një nga pengesat kryesore që deri më tani i ka mbajtur këto kategori jashtë tregut formal të punës, frikën nga humbja e pensionit apo e ndihmave sociale. Me mundësinë e angazhimit deri në gjashtë muaj, duke i paguar të gjitha kontributet, pensionistët me shëndet të mirë dhe përvojë profesionale mund të kthehen në një burim të rëndësishëm për sektorë si bujqësia dhe gastronomia, ku puna sezonale është dominuese.

Edhe për studentët dhe të papunësuarit e regjistruar në Agjencinë e Punësimeve, këto ndryshime hapin një mundësi të re. Ata tashmë mund të angazhohen ligjërisht në punë të përkohshme, pa u penalizuar nga sistemi i mbrojtjes sociale. Kjo pritet të rrisë ofertën e fuqisë punëtore, por njëkohësisht të ulë edhe punën në të zezë, e cila ka qenë një praktikë e përhapur pikërisht në veprimtaritë sezonale.

Sipas ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, pritjet janë që brenda një viti të angazhohen nga 12 deri në 17 mijë persona. Këto shifra tregojnë ambicie, por edhe nevojën për një zbatim të kujdesshëm të ligjit. Pa mekanizma të fortë kontrolli dhe pa informim të mjaftueshëm të qytetarëve dhe bizneseve, ekziston rreziku që punëdhënësit të vazhdojnë praktikat informale, ndërsa potenciali i ligjit të mos shfrytëzohet plotësisht.

Nga këndvështrimi ekonomik këto ndryshime kanë efekte pozitive zinxhirore që mund të sjellin rritje të të hyrave buxhetore, shfrytëzim të përvojës së pensionistëve, aktivizim të të rinjve dhe rritje të pavarësisë së studentëve. Të gjitha këto faktorë kontribuojnë në një treg pune më dinamik dhe më konkurrues.

Kujtojmë që, këto ndryshime ligjore kanë potencial real për ta shtuar numrin e punëtorëve sezonal, por ky potencial nuk është i garantuar automatikisht. Ai varet nga zbatimi praktik nga gatishmëria e bizneseve për të punësuar ligjërisht dhe nga besimi i qytetarëve se sistemi nuk do t’i penalizojë për angazhimin e tyre. Vetëm nëse këto hallka funksionojnë së bashku ligji do të shndërrohet nga një premtim politik në një rezultat të prekshëm në tregun e punës. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More