A ndikoi Romero në zëvendësimin e portierit çek? Tudor tregon arsyen pse i dha besimin dhe pse e largoi nga loja

Nga D. V.
767 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Trajneri i Tottenham Hotspur, Igor Tudor, mbrojti vendimin e tij për të zëvendësuar portierin 22-vjeçar Antonin Kinsky që në minutën e 17-të gjatë humbjes së rëndë 5-2 ndaj Atletico Madrid në Ligën e Kampionëve.

Kinsky, i cili ishte aktivizuar në vend të portierit titullar Guglielmo Vicario, bëri dy gabime të rënda që i mundësuan ekipit spanjoll të shënonte golin e parë dhe të tretë të ndeshjes.

Pas gabimeve, disa nga shokët e skuadrës si Conor Gallagher, Dominic Solanke dhe Joao Palhinha e shoqëruan drejt tunelit për t’i ofruar mbështetje.

Gabimi i parë erdhi kur portieri rrëshqiti dhe humbi kontrollin e topit pranë zonës së tij, ndërsa në aksionin e tretë goditi topin në këmbën e tij duke e lënë Julian Alvarez përballë një porte të zbrazët për rezultatin 3-0. Në ato momente, kapiteni Cristian Romero dukej sikur i sugjeronte trajnerit të bënte ndryshimin.

Megjithatë, Tudor theksoi se vendimi ishte plotësisht i tij dhe kishte për qëllim të mbronte lojtarin.

“Çfarë ndodhi është shumë e rrallë. Kam qenë trajner për 15 vjet dhe nuk e kam bërë kurrë këtë. Ishte e nevojshme ta mbroja djalin dhe ta mbroja ekipin. Është një situatë e pabesueshme”, deklaroi Tudor.

Trajneri kroat shtoi se vendimi për ta aktivizuar Kinskyn ishte i drejtë para ndeshjes, duke marrë parasysh presionin mbi Vicario-n dhe situatën e vështirë të ekipit.

“Ishte zgjedhja e duhur para ndeshjes. Tony është një portier shumë i mirë. Pas ndeshjes është e lehtë të thuash se nuk ishte vendimi i duhur, por unë ia shpjegova edhe atij këtë gjë. Ai është një djalë i mirë dhe një portier cilësor”, u shpreh Tudor.

Ai theksoi gjithashtu se gabimet ndodhën në një ndeshje shumë të madhe dhe se skuadra qëndron plotësisht pas portierit të ri.

Ndërkohë, kriza e rezultateve për Tottenhamin vazhdon, pasi ekipi londinez ka humbur gjashtë ndeshje radhazi për herë të parë në historinë e klubit dhe ndodhet vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga Liga Premier. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër