A rrezikohet Ligji për përdorimin e gjuhëve?

Nga I.A
2,316 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 mars – Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut është në një fazë kritike, ku ndërhyrjet e Gjykatës Kushtetuese dhe ndryshimet institucionale kanë hapur dilema serioze mbi të ardhmen e tij. Ky ligj, i miratuar në vitin 2018, garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe gjuhëve të komuniteteve mbi 20% të popullsisë, por që nga miratimi i tij ka qenë vazhdimisht nën presion politik e juridik, shkruan Zhurnal.

Momente kyçe të rrezikimit të ligjit – 

– 13 dhjetor 2024 – Gjykata Kushtetuese caktoi seancë për shqyrtimin e disa neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me tendencë abrogimin e tyre. Për shkak të protestave të organizuara nga BDI dhe presioni publik, seanca u shty.

– Shkurt 2025 – U paraqitën mocione të reja për shfuqizimin e disa dispozitave, duke argumentuar se ligji bie ndesh me Kushtetutën.

– Prill 2025 – Kalimi i kompetencave të Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve në Ministrinë e Drejtësisë u interpretua si cungim i veprimit, sepse zvogëlon autonominë e institucionit që duhej të mbikëqyrte zbatimin e ligjit.

– Janar 2026 – U paralajmërua se disa nene të ligjit mund të abrogohen, duke përfshirë përdorimin e shqipes në procedurat gjyqësore dhe dokumentet zyrtare.

– Mars 2026 – Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, deklaroi publikisht se “gjuha angleze ka përparësi ndaj shqipes” në disa kontekste, duke ngritur dyshime mbi orientimin e gjykatës.

Qasja e Gjykatës Kushtetuese – 

Gjykata Kushtetuese ka nisur procesin e shqyrtimit të ligjit shumë më herët, duke e konsideruar se disa nene bien ndesh me Kushtetutën. Kjo qasje është parë si tentativë për abrogim të pjesshëm ose të plotë, e cila do të dobësonte statusin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

Nëse ndodh shfuqizimi do të ndodhin edhe probleme të mëdha politike e shoqërore, shqiptarët që përbëjnë mbi 30% të popullsisë, do ta shohin këtë si mohim të të drejtave kushtetuese.

Mobilizim i shqiptarëve do të prodhojë protesta masive, presion politik dhe destabilizim i marrëdhënieve ndëretnike. Rreziktjetër i madh për integrimin evropian. Pra, çdo hap prapa në të drejtat gjuhësore shihet si regres demokratik dhe mund të dëmtojë imazhin e vendit në raport me BE dhe NATO.

Se një veprim i tillë sjellë pasoja e ka parashikuar edhe ish presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, i cili në një prononcim të tij e tha qartë dhe drejtë se kjo çështje do të krijojë problem të madh. 

“Dikush supozohet një qytetar i thjeshtë, i panjohur për publikun ka paraqitur një mocion para Gjykatës Kushtetuese duke thënë se ligji për gjuhë, për gjuhën shqipe nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ka kërkuar asgjësimin e këtij ligji… Gjykata Kushtetuese tashmë ka planifikuar një seancë për këtë çështje dhe do të jetë problem i madh nëse ata do të asgjësojnë këtë ligjin për gjuhët që kinse nuk është në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi ish presidenti, Stevo Pendarovski, në emisionin “Këndi i Debatit”

Nga tentativat e njëpasnjëshme që kemi përmendur sipër, dhe nga kjo deklaratë e ish presidentit lirshëm mund të vijmë në këtë që Ligji për përdorimin e gjuhëve është në rrezik real. Seancat e shtyra, mocionet për shfuqizim, kalimi i kompetencave të inspektoratit dhe deklaratat e kryetarit Kostadinovski e vendosin shqipen në pozitë inferiore. 

Kujtojmë që, Ligji për përdorimin e gjuhëve i miratuar më 15 mars 2018, është një akt themelor që e vendos gjuhën shqipe krahas maqedonishtes si gjuhë zyrtare në nivel shtetëror dhe lokal, duke garantuar përdorimin e saj në administratë, dokumente, gjykata dhe komunikim publik. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër