Administrata Trump heq dorë nga fondi i kompensimit të personave të ndjekur penalisht padrejtësisht

Nga D. V.
553 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 03 qershor, Zhurnal.mk – Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka hequr dorë nga planet për krijimin e një fondi të diskutueshëm kompensimi për persona që pretendojnë se kanë qenë viktima të sistemit të drejtësisë, pas kritikave të forta publike dhe politike.

“Nuk do të ecim përpara me fondin”, tha dje prokurori i përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, para ligjvënësve amerikanë.

Trump është përballur me kundërshtime të ashpra ndaj nismës, përfshirë edhe nga anëtarë të Partisë Republikane. Vendimi për të hequr dorë nga projekti, shihet si një tërheqje përballë presionit në rritje.

Kritikët e cilësuan planin si një fond në shërbim të mbështetësve të Trump dhe si një formë korrupsioni.

Debati rreth tij ka ndikuar edhe në procesin e miratimit të masave të tjera buxhetore në Kongres.

Në muajin maj, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se 1,776 miliardë dollarë do të ndaheshin për krijimin e fondit të ri,  i cili synonte të kompensonte financiarisht individët që pretendonin se ishin shënjestruar, hetuar ose ndjekur penalisht padrejtësisht nga qeveria federale.

Kundërshtarët e nismës shprehën shqetësimin se, fondet publike mund të përdoreshin për të shpërblyer mbështetësit e Trump, që morën pjesë në sulmin ndaj Kapitolit në vitin 2021, me qëllim përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, të fituara nga Joe Biden.

Shumë prej të akuzuarve në atë kohë, u falën më vonë nga Trump, pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.

Fondi ishte pjesë e një marrëveshjeje mes Trump dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Në janar, Trump, në cilësinë e qytetarit privat, paditi qeverinë federale duke kërkuar miliarda dollarë dëmshpërblim.

Padia pretendonte se një ish-punonjës i Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), kishte aksesuar në mënyrë të paligjshme, të dhënat tatimore të lidhura me “Trump Organization” gjatë mandatit të parë presidencial të Trump, dhe i kishte shpërndarë ato në media.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ishte arritur një marrëveshje me Trump për krijimin e fondit, ndërsa në këmbim presidenti kishte tërhequr padinë.

Megjithatë, pas valës së kritikave, administrata Trump vendosi të mos e zbatojë më këtë plan.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër