Akademia e Sigurisë heq dorë nga kateringu ‘SORI-AL”, ushqimi përgatitet në mensën e institucionit

Nga L. M
460 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Akademia e Sigurisë ka ndryshuar mënyrën e furnizimit me ushqim për kursantët, pas dy rasteve të helmimeve masive të regjistruara brenda një muaji. Institucioni nuk përdor më shërbimin e kateringut nga ‘SORI-AL’, por vaktet tashmë gatuhen në mensën e Akademisë.

Burime bëjnë me dije se ndryshimi ka hyrë në fuqi më 27 qershor, me synimin për të shmangur përsëritjen e incidenteve që tronditën institucionin.

Krahas rikthimit të gatimit në ambientet e mensës, është bërë edhe riorganizimi i saj, është shtuar personeli i kuzhinës dhe është zgjeruar menuja që u ofrohet kursantëve.

Sipas burimeve, studentët që frekuentojnë Akademinë shprehen se ushqimi është më i freskët, ndërsa vaktet janë më të larmishme krahasuar me periudhën kur shërbimi ofrohej nga kompania e kateringut.

Vendimi vjen pas dy episodeve të njëpasnjëshme të dyshuara si helmime ushqimore. Në total, 116 kursantë shfaqën simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, duke u transportuar për ndihmë mjekësore në QSUT.

Pas rasteve u ngrit një grup hetimor, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mori mostra të ushqimeve për analiza laboratorike.

Rasti i parë u regjistrua në muajin maj, kur dhjetëra kursantë përfunduan në spital.

Analizat laboratorike identifikuan një kampion ushqimor jokonform, ku në makaronat e gatshme u konstatua prani mbi normë e bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv.

Pas këtij konstatimi, AKU pezulloi përkohësisht aktivitetin e kompanisë “SORI-AL”, e cila ofronte shërbimin e kateringut për Akademinë e Sigurisë, por në një vendim të dytë kateringu vijoi aktivitetin.

Vetëm pak javë më vonë, një incident i dytë preku mbi 60 kursantë të tjerë. Edhe në këtë rast, AKU kreu kontrolle të menjëhershme, mori 14 mostra ushqimore për analiza dhe nisi verifikimet për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër