Shkup, 15 korrik, Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Mbrojtjes nga radhët e VLEN-it, Admir Shabani, ka reaguar me kritika të ashpra ndaj ish-qeverisjes shqiptare e udhëhequr nga BDI, duke i akuzuar për mungesë të përfaqësimit të shqiptarëve në pozitat drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në një postim në rrjetet sociale, Shabani tha se “me lot krokodili nuk bëhet politika, e as fshihet e bëma”, duke shtuar se “dita-ditës po bien maskat dhe del fytyra e vërtetë e më shumë se dy dekadave të qeverisjes tuaj”.
Ai sfidoi publikisht kundërshtarët politikë që të tregojnë qoftë edhe një shqiptar të emëruar në pozitë drejtori në drejtoritë e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë kohës së qeverisjes së tyre.
“Sot qani për shkarkime hipotetike nga pozita që vetë nuk ua besuat kurrë shqiptarëve”, shkroi Shabani.
Sipas tij, atë që, siç u shpreh, “nuk e bëtë ju për më shumë se 20 vjet me ministra e ‘kryeministra’, do ta bëjmë ne si VLEN”.
Në fund të reagimit, zëvendësministri theksoi se “mjaft me lot krokodili, koha është për përgjegjësi dhe rezultate”.
