Alarm demografik/ Më shumë pacientë në spitale, më pak lindje

Nga Xh M
390 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 maj Zhurnal.mk – Në Maqedoninë e Veriut, për dy vite janë regjistruar 9.401 raste më shumë të trajtimeve spitalore, tregon raporti analitik i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH) për periudhën 2023–2025.

Sipas të dhënave, numri i rasteve spitalore është rritur nga 184.829 në vitin 2023 në 194.230 në vitin 2025, që paraqet një rritje prej 5,1 për qind. Në të njëjtën kohë, buxheti për spitalet është rritur për 24 për qind dhe ka arritur në 32,5 miliardë denarë.

Rritja më e madhe është shënuar te sëmundjet e syve dhe ato të sistemit muskulor-skeletor. Nga FSSH thonë se kjo lidhet me uljen e listave të pritjes për operacionet e kataraktës, si dhe me rritjen e ndërhyrjeve ortopedike të planifikuara, përfshirë operacionet e ijëve. Një pjesë e këtyre ndërhyrjeve ishin shtyrë gjatë pandemisë Covid-19, kur sistemi shëndetësor funksiononte kryesisht me raste urgjente.

Nga ana tjetër, hospitalizimet për sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të qarkullimit të gjakut kanë shënuar rënie prej rreth 3 për qind, nga 26.651 në 25.876 raste. Drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski, ka deklaruar se duhet analizuar më tej nëse bëhet fjalë për një trend të vërtetë të uljes së këtyre sëmundjeve.

Rënie është regjistruar edhe te hospitalizimet që lidhen me shtatzëninë dhe lindjet, për 7,5 për qind. Nga FSSH këtë e lidhin me ndryshimet demografike në vend.

Trajtimi mesatar spitalor gjatë vitit 2025 ka zgjatur pak më pak se pesë ditë, ndërsa shkalla mesatare e kompleksitetit të ndërhyrjeve ka qenë 1,55. Sipas raportit, progres është shënuar në 9 nga 12 spitalet e përgjithshme, ndërsa Spitali i Përgjithshëm “8 Shtatori” veçohet me indeks kompleksiteti afër nivelit 2, i krahasueshëm me një qendër klinike.

Raporti tregon një sistem shëndetësor që trajton më shumë pacientë dhe realizon ndërhyrje më komplekse, por njëkohësisht hap edhe pyetje më të gjera për ndryshimet demografike dhe gjendjen e popullsisë në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër