Bruksel, 9 nëntor Zhurnal.mk – 49 milionë persona rrezikojnë të përballen me urinë akute deri në fund të vitit 2027, për shkak të fenomenit klimatik El Niño. Paralajmërimi vjen nga organizata Cesvi, në ditën e hapjes së Konferencës së OKB-së për Klimën, COP31.
Sipas vlerësimeve të Programit Botëror të Ushqimit (ËFP), në 45 vendet që tashmë përballen me kriza ushqimore, numri i personave në kushtet e urisë akute mund të rritet nga 225 milionë në 274 milionë, ose 22% më shumë.
Ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëron për një ngjarje të paprecedentë të El Niño-s. Cesvi ngre shqetësimin për mungesën e fondeve për të parandaluar krizën. Në vitin 2025, për sigurinë ushqimore në zonat e prekura nga krizat u siguruan vetëm 10.55 miliardë dollarë, nga 29 miliardë dollarë që nevojiteshin.
Drejtori i Përgjithshëm i Cesvi-t, Stefano Piziali, u bëri thirrje qeverive dhe donatorëve që të financojnë masat parandaluese përpara se parashikimet të kthehen në emergjenca. Ai kërkoi gjithashtu financime fleksibël dhe shumëvjeçare, ndalimin e shkurtimeve buxhetore dhe më shumë mbështetje për organizatat lokale.
Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e të dhënave për matjen e urisë. Për 14 vende, mes tyre Sudani, Sudani i Jugut dhe Jemeni, raporti GHI 2026 nuk ka mundur të llogarisë nivelin e urisë për shkak të mungesës së informacionit.
