Shkup, 26 nëntor Zhurnal.mk – Kontrata për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë është nënshkruar në vlerë prej 191 milionë eurosh, ndërsa punimet përgatitore në terren kanë përfunduar dhe kanë nisur aktivitetet për ndërtimin e pesë tuneleve përgjatë trasës.
Këtë e bëri të ditur ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Ilir Hasani nga Fronti Evropian në Kuvend. Nikolloski sqaroi se shuma prej 191 milionë eurosh i referohet kontratës për realizimin e punimeve, ndërsa në shumat më të larta që përmenden në opinion përfshihen edhe shpenzimet për mbikëqyrje, mbështetje teknike dhe 15 për qind mjete të paparashikuara, në përputhje me rregullat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ai theksoi se kjo nuk do të thotë se e gjithë shuma e paraparë do të shpenzohet patjetër.
Sipas zëvendëskryeministrit, krahasimet me segmentin e mëparshëm prej dy kilometrash nuk janë të përshtatshme, për shkak të rritjes së konsiderueshme të çmimeve në sektorin e ndërtimit pas pandemisë dhe krizës energjetike.
– Çmimet në ndërtimtari para krizës së koronës dhe pas saj nuk janë të njëjta. Mjafton të shihet lëvizja e çmimeve të naftës dhe bitumit për të kuptuar pse janë rritur shpenzimet – theksoi ministri.
Nikolloski bëri të ditur se kompania konsulente franceze „Safege Suez“, e angazhuar për projektin, më herët kishte vlerësuar se ndërtimi i kësaj traseje do të kushtonte rreth 260 milionë euro, ndërsa kontrata aktuale është dukshëm më e ulët, transmeton portali Lideri.mk.
– Gjërat për të cilat kam folur nga foltorja e Kuvendit ishin dokumente dhe fakte që i prezantova në dy pjesë. Njëra kishte të bënte me trasenë e re që e ofroi udhëheqësia e mëparshme e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Jo unë, por konsulenti zyrtar, kompania e njohur franceze „Safege Suez“, parashikonte se projekti në fund do të kushtonte 260 milionë euro. Kjo gjendet në dokumentin që e prezantova nga kjo foltore.
– Ja, shihni, ne morëm ofertë prej 191 milionë eurosh, që është dukshëm më pak se 260 milionë eurot e parashikuara nga „Safege Suez“ – deklaroi Nikolloski.
