Kukës, 30 maj Zhurnal.mk – Në një kohë kur Kosova po kalon një tjetër fushate për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Kukësi u bë ndalesa e radhës e disa prej përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe deputetja Shqipe Selimi zhvilluan një takim miqësor me qytetarë të Kukësit, ku në qendër të diskutimeve ishte bashkëpunimi ndërshqiptar, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimet politike në Kosovë.
Takimi u shoqërua me emocione dhe kujtime nga periudha e luftës së Kosovës. Në fjalën e saj, Albulena Haxhiu rikujtoi pranverën e vitit 1999 dhe mikpritjen që qytetarët e Kukësit u dhanë mijëra familjeve kosovare gjatë eksodit. Ajo e cilësoi Kukësin si pjesë të pandashme të atdheut të qytetarëve të Kosovës.
“Atdheu i qytetarëve të Kosovës është edhe Kukësi. Prandaj faleminderit nga zemra për gjithë atë mikpritje, për bukën, për respektin, për fjalët e për muhabetin gjatë periudhës së vështirë për shqiptarët e Kosovës, por edhe për kombin shqiptar”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu theksoi se vizita nuk kishte vetëm karakter simbolik, por edhe synimin për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
”Sot jemi këtu edhe për të folur për punën e përbashkët që mund të bëjmë tani, për ta fuqizuar këtë bashkëpunim dhe për t’u parë e folur më shpesh, sepse kemi ende shumë çështje me të cilat duhet të merremi”, u shpreh Haxhiu.
Në bashkëbisedim me qytetarët, ajo komentoi edhe situatën politike në Kosovë dhe zgjedhjet e parakohshme, duke u shprehur se Kosova është futur në një proces të panevojshëm zgjedhor.
“Kosova ka hyrë në një proces të panevojshëm zgjedhor. Çdo zhvillim në Prishtinë ndikon edhe tek ju në Shqipëri, njësoj siç zhvillimet në Shqipëri ndikojnë tek ne. Tendenca për të shtyrë përpara ego individuale bëri që Kosova të përballet përsëri me zgjedhje. Megjithatë, për ne është gjithmonë nder dhe kënaqësi të bashkëbisedojmë me qytetarët e Kukësit. Kosova ka nevojë për ju, ashtu siç ka pasur nevojë edhe në ditët më të vështira”, tha ajo.
Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi homazhe në varrin e Hasan Prishtinës, i cili prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Kukës. Haxhiu vendosi një tufë me lule dhe vlerësoi figurën e Hasan Prishtinës si një prej personaliteteve që ia kushtoi jetën kombit shqiptar.
Një tufë me lule u vendos edhe pranë bustit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në qendër të qytetit. Pjesë e vizitës jo zyrtare ishte edhe ndalesa në Kullën e Qëndresës “Eksod ’99”, simbol i mikpritjes dhe bujarisë së qytetarëve të Kukësit ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës.
