Shkup, 12 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar viktimat e ngjarjeve të Lubotenit, në 25-vjetorin e tragjedisë së 12 gushtit 2001.
Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti ka theksuar se kujtimi i viktimave është i domosdoshëm për të mos lejuar përsëritjen e tragjedive të tilla.
“Plagët e historisë nuk mbyllen duke i harruar, por duke i kujtuar me dinjitet dhe duke mos lejuar që tragjedi të tilla të përsëriten”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, Luboteni mbetet një nga plagët më të rënda të vitit 2001. Ahmeti ka kujtuar se më 12 gusht të atij viti, dhjetë civilë shqiptarë, mes tyre edhe një fëmijë gjashtëvjeçar, humbën jetën.
“Një çerek shekulli më vonë, kujtimi i tyre na obligon të mbrojmë me vendosmëri paqen, barazinë dhe dinjitetin kombëtar”, ka theksuar kreu i BDI-së.
Në fund të mesazhit të tij, Ahmeti ka shprehur nderimin për viktimat e Lubotenit.
“Sot nderojmë viktimat e pafajshme të Lubotenit. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!”, ka përfunduar Ahmeti.
