Ali Ahmeti takon Ambasadorin e Spanjës, theksohet përkushtimi për rrugën euroatlantike dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Nga B.M
498 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 shkurt – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim miqësor me Ambasadorin e Spanjës në vend, Rafael Soriano Ortiz, në frymën e dialogut të hapur dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Gjatë takimit u diskutua për orientimin strategjik të Maqedonisë së Veriut, sfidat që lidhen me stabilitetin afatgjatë politik dhe institucional, si dhe proceset integruese të vendit. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e zbatimit të plotë dhe konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit, e cila u vlerësua si garanci themelore për paqen, bashkëjetesën ndëretnike dhe funksionimin demokratik të shtetit multietnik.

Ahmeti nënvizoi se rruga euroatlantike e Maqedonisë së Veriut mbetet një zgjedhje strategjike e qartë dhe pa alternativë, e mbështetur në vullnetin politik dhe aspiratën qytetare për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, anëtarësimi në BE përfaqëson një objektiv madhor shtetëror, i cili kërkon unitet të brendshëm politik, thellim të reformave dhe përgjegjësi të përbashkët nga të gjitha subjektet politike.

Në takim u vlerësua se përshpejtimi i procesit të integrimit evropian është thelbësor për forcimin e stabilitetit institucional, nxitjen e zhvillimit ekonomik, rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe konsolidimin e themeleve demokratike të shtetit.

Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e dialogut dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në funksion të stabilitetit rajonal dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër