Prishtinë, 28 prill, Zhurnal.mk – Zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Catalina Heine, e pyetur lidhur me situatën në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Berlini zyrtar kërkon që të gjitha palët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Heine ka thënë se janë duke e ndjekur procesin që po vazhdon.
“Ne po ndjekim procesin në vazhdim dhe presim që të gjitha palët e interesuara të veprojnë në përputhje me kushtetutën”, ka thënë Heine për Express.
Në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar për të dytën herë seanca e nisur të hënën nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ndonëse pa praninë e 2/3 e deputetëve, Haxhiu ka lejuar që të zhvillohet raundi i parë i votimit ku kanë marrë pjesë vetëm 64 deputetë.
Nga 64 deputetë sa kanë marrë pjesë në votim, 63 vota kanë qenë për kandidaturën e Feride Rushitit dhe një votë e pavlefshme.
Sonte është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, bazuar në vendimin e fundit të Kushtetueses.
