Shkup, 11 mars, Zhurnal.mk – Në Maqedoninë e Veriut pragu i varfërisë për pagë është 31.200 denarë, ndërsa sipas të dhënave të sindikatës (LSM) janë 154,408 të punësuar të cilët marrin një pagë prej 30,000 denarë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave numri i përgjithshëm i të punësuarëve në të të dy sektorët (publik dhe privat) në vend është 705165. Këto shifra thonë se afër 22% nga numri i përgjithshëm i të punësuarëve jetojnë me të ardhura nën pragun e varfërisë. Kjo tregon se shumë punëtorë, pavarësisht punës që e bëjnë, jetojnë në varfëri, shkruan “Zhurnal.mk”.
Eurostat: “Pragu i rrezikut të varfërisë” është më i lartë në Maqedoni të Veriut dhe Turqi (22.2 përqind)
“Pragu i rrezikut të varfërisë” në BE tregon gjendjen e vërtetë të cilësisë së jetës, raportin e pagave dhe shpenzimeve. Në vitin 2024, sipas Eurostat, 16.2 përqind e popullsisë së BE-së, ose 72 milionë njerëz ishte në rrezik varfërie. Përqindja më e ulët u regjistrua në Republikën Çeke (9.5 përqind), ndërsa më e larta ishte në Turqi dhe Maqedoninë e Veriut (22.2 përqind).
Midis “katër vendeve të mëdha” të BE-së, Gjermania ka pragun më të lartë të varfërisë, 1,381 euro, e ndjekur nga Franca (1,278), Italia (1,030) dhe Spanja (965).
Për një familje të përbërë nga dy të rritur dhe dy fëmijë nën 14 vjeç, pragu i rrezikut të varfërisë është 2,1 herë më i lartë se për një person të vetëm. Është 2,266 € në BE, 423 € në Turqi dhe 5,452 € në Zvicër.
Ndërkaq, sipas statistikave të Maqedonisë së Veriut, në vitin 2024 “pragu i varfërisë” është 21.9 %, ndërsa rroga neto mesatare e paguar është 46.889 denarë. Kjo nënkupton se mbi 1/3 e punëtorëve marrin paga nën mesataren dhe prandaj Maqedonia e Veriut konsideorhet si ndër vendet me pagat më të ulëta në rajon dhe me fuqinë blerëse më të vogël.
Është koha që të rriten pagat!
Rritja e pagës minimale do të thotë një rritje e drejtpërdrejtë e pagave për këta 154,408 punëtorë dhe do të ndikojë në rritjen e pagave edhe në sektorë të tjerë, prandaj kërkesa për pagë më të larta është një luftë për një jetë dinjitoze për punëtorët, dhe të gjithë kanë të drejtë të luftojnë për pagat e tyre.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka njoftuar se më 14 mars do të organizojë protestë dhe kërkesa është për rritje të pagave të punëtorëve duke rritur pagën minimale në 600 euro dhe duke rritur pagat e tjera me të paktën 6,000 denarë (100 euro) ose diferencën nga paga minimale aktuale deri në rritjen e pagës minimale të re!
Aktualisht paga minimale është 24.400 denarë (397 euro) dhe fatkeqësisht, qeveria ka planifikuar se përshtatja me pagën minimale duke shtuar nga 1,667 denarë (afrë 27 euro) janë të mjaftueshme për qytetarët. Megjithatë kjo pagë minimale është me e ulëta në rajon, pasi në Kosovë, e cila ishte pas Maqedonisë tani paga minmale është 425 euro, ndërsa më 1 korrik do të bëhet 500 euro në muaj. Në Shqipëri nga 1 janari 2026 paga minmale është 500 euro, në Serbi 550 euro, në Bosnjë e Hercegovinë është 511 euro, në Mal të Zi 600 euro për punëtorët me shkollë të mesme dhe 800 euro për punëtorët me shkollim më të lartë, shkruan “Zhurnal.mk”
Kryeministri mbrohet duke akuzuar për politizim të sindikatave
Kryeministri Mickoski i bëri thirrje opininit të jenë të kujdesshëm në lidhje me mesazhet që vijnë nga organizatat sindikale, duke i akuzuar ato për politizim. Ai thekson se Qeveria respekton Ligjin për Pagën Minimale dhe nëse arrihet konsensus për marrëveshjen dypalëshe midis punëtorëve dhe punëdhënësve, ata do ta mbështesin atë.
Sipas tij, sindikatat manipulojnë publikun me të ashtuquajturën shportë minimale të konsumatorit. Prandaj sipas kryeministrit nëse tani paga minimale është 600 euro, për një kohë ata do të kërkojnë 800 euro, dhe ndoshta edhe 1.000 euro. Ai sqaron se dialogu dypartiak midis punëtorëve dhe punëdhënësve duhet të marrë fund dhe adresimi i kësaj çështje ndaj Qeverisë është i gabuar.
Për sipërmarrësit është e pranueshme që të rritet paga minimale
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nuhi Aliu kishte paralajmëruar se për sipërmarrësit është e pranueshme që paga minimale në Maqedoninë e Veriut të bëhet 500 euro, por paralajmëroi se me këtë do të rriteshin çmimet e produkteve, sepse kjo do të sjellë edhe rritjen e shpenzimeve.
Disa kompani në vend kanë arritur të rrisin pagat për të punësuarit, por ka edhe firma që përballen me vështirësi serioze financiare dhe nuk mund të paguajnë rregullisht pagat.
Sipas kreut të OEMVP-së, zgjidhja më e mirë qëndron në rritjen e konkurrencës së tregut, lehtësimin e qasjes në financa dhe krijimin e një mjedisi biznesi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm.
Ekonomistët: Vetëm një pagë minimale prej 850 eurosh do të na shpëtojë
Nëse paga minimale nuk rritet në të paktën 850 euro në dy vitet e ardhshme, Maqedonia e Veriut do të mbetet pa punëtorë. Me këtë paralajmërim, ekonomistët dhe analistët po përpiqen t’i tregojnë shtetit se koha për vendime serioze ekonomike po mbaron. Tregu i punës, ka kohë që ka dërguar sinjalin se diçka nuk shkon. Gjithnjë e më shumë kompani nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë dhe të rinjtë, ata me një lloj ekspertize ose zanati, po i paketojnë çantat dhe po largohen pa shumë hezitim.
Ekonomitë gjermane, sllovene dhe austriake e kanë përthithur prej kohësh potencialin e punës nga Maqedonia e Veriut duke ofruar paga që këtu tingëllojnë pothuajse jorealiste.
Maqedonia është i vetmi vend në rajon ku paga minimale është ende nën 500 euro. Fqinjët e kanë kaluar këtë vijë prej kohësh. Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, të gjitha kanë një pagë minimale më të lartë. Nëse nuk reagojmë, nuk do të kemi askënd për të bindur të qëndrojë. Paga mesatare, sipas ekspertëve, duhet të jetë midis 1,200 dhe 1,500 euro për të krijuar një ekuilibër të vërtetë midis kostove dhe standardeve.
A ka para shteti për t’i rritur pagat?!
Maqedonia e Veriut po rrit në mënyrë aktive pagat, por me shifra shumë të ngadalta. Me pagën minimale që pritet të rritet në mars të vitit 2026, paga minimale do të arrijë 26 mijë denarë (422 euro), që duket se do të mbetet paga më e ulët dhe më e prapambetur në Ballkan.
Megjithatë, pyetja nëse vendi “ka para” për rritje të konsiderueshme, të shpejta apo në shkallë të gjerë është një temë debati midis qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve, për shkak të kostove të larta të jetesës dhe kufizimeve ekonomike.
Vendi ka një raport borxhi ndaj Bruto Prodhimit Vendor prej 57.2%., ndërsa ka pasur një rritje prej 8.8% nga viti në vit në pagën mesatare reale neto në vitin 2024. Por presionet e inflacionit kanë kufizuar ndikimin e këtyre rritjeve, duke e bërë të vështirë për punëtorët që të përballojnë koston e jetesës.
Andaj, nga të gjitha parametrat e analizuar, Maqedonia e Veriut duhet urgjentisht të gjejë zgjidhje për punën e pagave të punëtorëve, të cilat i kanë sjellë ata në pragun më të madh të varfërisë, shkruan “Zhurnal.mk”.
