Andonovski: Qendrat e të dhënave nuk do ta dëmtojnë natyrën, një pjesë e reagimeve publike krijojnë histeri të panevojshme

Nga Xh M
760 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 korrik Zhurnal.mk – Ndërtimi i qendrave të të dhënave (data center) në vend nuk do të realizohet në kurriz të dëmtimit të natyrës, siguron ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski. Ai pohon se nuk do të lejohen projekte që do të kishin ndikim negativ mbi ujin, ajrin apo sipërfaqet e gjelbra.

“Nuk do të lejojmë asnjë efekt negativ mbi mjedisin për të ndërtuar qendra të të dhënave. Nuk do të priten pemë dhe nuk do të lejojmë asnjë ndikim të dëmshëm mbi natyrën për të përfituar një benefit të caktuar”, deklaroi Andonovski në konferencën e sotme për shtyp.

Sipas tij, debatet mbi përfitimet dhe rreziqet e mundshme nga ndërtimi i qendrave më të mëdha të të dhënave janë të arsyeshme, por ai paralajmëroi se një pjesë e reagimeve në publik “po krijojnë histeri të panevojshme”.

Ministri njoftoi se një nga opsionet që po shqyrtohet është vendosja e qendrave të të dhënave në zonat teknologjike-industriale të zhvillimit, pra në lokacione ku tashmë ekziston infrastrukturë industriale dhe ku mund të realizohen të ashtuquajturat investime brownfield (investime në zona tashmë të zhvilluara industrialisht).

“Çdo ndërtim duhet të kalojë vlerësimet dhe studimet përkatëse për mbrojtjen e mjedisit, veçanërisht kur bëhet fjalë për investime të huaja. Nuk do të ndërmarrim asnjë hap që do të nënkuptonte komprometimin e natyrës”, theksoi Andonovski.

Ai shtoi se, në bisedat me ekspertë nga sektori i IT-së, inxhinierisë mekanike dhe industrisë, nuk ka kundërshtime ndaj ndërtimit të qendrave të të dhënave. Sipas tij, çështja kryesore lidhet me kapacitetin, madhësinë dhe ndikimin që ato mund të kenë mbi mjedisin.

“Pyetja nuk është nëse duhet të ketë qendra të të dhënave, por si do të ndërtohen ato dhe me çfarë standardesh. Zhvillimi i infrastrukturës digjitale duhet të ecë paralelisht me mbrojtjen e mjedisit”, tha ministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër