Apeli i GJKKO nuk e pranoi kërkesën e Erion Veliajt

Nga Xh M
455 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të mos pranojë kërkesën e Kryetarit të Bashkisë, Tiranë, Erion Veliaj, për të lënë qelinë.

Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” me një masë sigurimi më të butë si “Garancia pasurore” ose “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Por pretendimet e tij u rrëzuan nga Gjykata.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Nertina Kosova, sot më datë 24.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 68 akti, datë 17.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.V: “Ankim kundër vendimit nr. 118, datë 01.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, me një masë sigurimi më të butë si “Garancia pasurore”, parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale ose “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale”, si vijon: – Miratimin e vendimit nr. 118, datë 01.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, sot më datë 24.02.2026”, thuhet në njoftimin e Apelit të GJKKO.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura, e drejtuar nga Nertina Kosova.

Veliaj kërkoi të jetë vetë i pranishëm dhe refuzoi të përfaqësohet nga avokatët e tij. Veliaj iu drejtua Apelit të Posaçëm pasi gjyqtarja e hetimit Etleva Deda e refuzoi kërkesën për të ndryshuar masën.

Javën e kaluar kryebashiaku i Tiranës dhe 29 të pandehur të tjerë kaluan në gjykim themeli pas afro pesë muajsh seancë paraprake.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër