Shkup, 12 Mars, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët (ASh – krahu i Ziadin Selës) ka bërë ftesë sot për vendosjen e kriterit të Badinterit, përkatësisht shumicën e dyfishtë, në vendim-marrjen nga gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese.
Në një komunikatë kjo parti i ftoi krejt partitë e tjera që të ndërmarrin hapa për këtë qëllim.
Ftesa e sotme e Selës, vjen pasi që anëtarët maqedonas, shumicë në trupin nëntë anëtarësh refuzuan që të shqyrtojnë projektin “Safe City” (qyteti i sigurt) i përdorimit të kamerave në hapësirat publike, përkatësisht në komunikacion.
“Vendimi i djeshëm konfirmon urgjencën për Badenter në Gjykatën Kushtetuese,” tha në një komunikatë të sotme ASh-Sela.
“Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese është vetëm edhe një dëshmi shtesë, pas shumë rasteve të ngjashme të mbivotimit etnik dhe vendimeve të padrejta të cilat sillen sipas vullnetit personal të shumicës së gjykatësve maqedonas, e që majorizojnë shqiptarët dhe të gjitha bashkësitë e tjera etnike në vend. Ky rast vetëm se konfirmoi nevojën urgjente për vendosjen e parimit të Badenterit gjatë votimit të ligjeve që sillen me Badenter në Kuvend, ose ligjeve dhe dispozitave të tjera që prekin të drejtat dhe barazinë e bashkësive etnike në vend,” shton më tutje komunikata nga kjo parti.
Në të njëjtën kohë, ASh-Sela i ftoi partité politike shqiptare në veçanti, që “urgjentisht të ndërmarim veprime konkrete për arritjen” e kriterit të Badinterit “të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, të cilat rrezikohen nga institucioni më i lartë kushtetues, prej ku më pas nuk ekzistojnë rrugë dhe mekanizma të tjerë për ankesa dhe kthim prapa të vendimit.”
Në të njëtën komunikatë kjo parti protestoi deklaratat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, kundër përdorimi të gjuhës shqipe në komunikimet me qytetarët lidhur me ‘Safe City’.
“Si parti politike dënojmë ashpër edhe deklaratat e kreut të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe dhe të drejtat e qytetarëve të cilat shkelen me projektin ‘Safe City’, që më shumë tingllonin si opinione personale sesa si interpretime kushtetuese e juridike,” përfundon komunikata e ASh-Sela.
