Shkup, 24 prill Zhurnal.mk – Në seancën e 9-të të Këshillit Komunal të Butelit, këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët ngritën shqetësimin se një numër fëmijësh rrezikojnë të mbeten jashtë procesit arsimor për shkak të pengesave administrative që lidhen me regjistrimin në shkolla dhe çerdhe.
Nga ASH bëjnë të ditur se gjatë seancës janë hapur dy çështje kryesore me interes publik. E para ka të bëjë me procesin e punësimeve në shkollat fillore të komunës, ku është kërkuar transparencë e plotë dhe sqarim nëse punësimet do të realizohen përmes konkurseve të hapura apo do të ketë, siç u tha, ndikime partiake.
Çështja e dytë, e cilësuar si më urgjente, lidhet me regjistrimin e fëmijëve nga familjet që jetojnë me qira ose nuk kanë përfunduar procesin e legalizimit të pronave, duke mos siguruar dokumentacionin e kërkuar nga komuna.
Sipas ASH-së, ekziston rrezik real që shumë fëmijë të mbeten jashtë sistemit arsimor, ndërsa në debat u përmendën edhe raste konkrete të qytetarëve që po përballen me këto pengesa.
Nga përfaqësuesit e komunës, sipas njoftimit, është thënë se regjistrimi do të mundësohet vetëm për qytetarët që posedojnë kontrata afatgjata të qirasë ose dëshmi pronësie.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se e drejta për arsim nuk duhet të kushtëzohet me procedura administrative dhe kërkon zgjidhje urgjente nga komuna për të shmangur, siç thonë, përjashtimin e fëmijëve nga arsimi.
“Fëmijët nuk duhet të penalizohen për shkak të statusit të banimit të familjeve të tyre”, theksojnë nga ASH, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi institucionale për këtë çështje.
