Gostivar, 21 korrik, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët ka vlerësuar se rezultatet e fundit të analizave mikrobiologjike të ujit nga katër pika në Gostivar tregojnë se situata është në përmirësim dhe po shkon drejt stabilizimit.
Përmes një reagimi, partia u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’u përmbahen rekomandimeve të institucioneve kompetente dhe informacionet t’i marrin vetëm nga burimet zyrtare.
Sipas ASH-së, shqetësimi i qytetarëve është i kuptueshëm dhe i ligjshëm, por në këtë fazë nevojitet qetësi, maturi dhe bashkëpunim deri në përfundimin e të gjitha analizave dhe procedurave përkatëse.
“Nuk duhet të shpejtojmë me gjykime, etiketime apo akuza pa përfunduar puna profesionale e institucioneve”, thuhet në reagim, ku njëherazi bëhet thirrje për ndërprerjen e gjuhës ofenduese dhe përçarëse, me arsyetimin se shëndeti publik nuk duhet të shfrytëzohet për përplasje politike.
Aleanca për Shqiptarët thekson se Shtabi i Krizës është duke kryer detyrat e tij, ndërsa kryetari i Komunës së Gostivarit ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet komunale për menaxhimin e situatës dhe për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
Në reagim vlerësohet gjithashtu si e rëndësishme përfshirja dhe mbështetja e Qeverisë dhe institucioneve qendrore në tejkalimin e situatës.
Në fund, ASH nënvizon se prioriteti kryesor duhet të mbetet mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, informimi i rregullt dhe transparent, si dhe kthimi sa më i shpejtë i gjendjes në normalitet.
