Shkup, 9 qershor, Zhurnal.mk – Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar me akuza të ashpra ndaj BDI-së, duke vlerësuar se veprimet e saj politike ndër vite kanë qenë në favor të interesave serbe dhe në dëm të interesave kombëtare shqiptare, transmeton Zhurnal.
Në një reagim publik, Azizi ka theksuar se “veprat flasin më shumë se parullat”, duke përmendur një sërë veprimesh që sipas tij dëshmojnë këtë qasje. Ai ka përmendur mbështetjen ndaj nismës Ballkani i Hapur, të cilën e cilësoi si kundër qëndrimeve të Kosovës dhe në favor të zgjerimit të ndikimit serb në rajon.
Shkrimi I plotë:
“Veprat flasin më shumë se parullat.
“Ballkani i Hapur” kundër qëndrimit të Kosovës dhe në favor të zgjerimit të ndikimit serb në rajon. Takimet e shpeshta të Ali Ahmetit me Vuçiçin sa herë që ai vinte në RMV, ndonëse nuk ishin homologë institucionalë.
11 vizita të Bujar Osmanit në Serbi, asnjë në Kosovë.
Plani 9-pikësh i Bujar Osmanit që kërkonte tërheqjen e Policisë së Kosovës nga Banjska, ndërsa në veri vepronin grupet e armatosura të Radoiçiçit.
Zyrtarizimi i gjuhës serbe në Kumanovë me vetëm 6% serbë, ndërkohë që shqiptarët për dekada kanë luftuar për të drejtat e tyre gjuhësore.
Këto nuk janë akuza, por veprime konkrete politike të ndodhura në kohën kur BDI përfaqësonte shqiptarët në qeveri.
Prandaj, është e vështirë të gjesh në historinë e pluralizmit shqiptar një seri më të gjatë veprimesh që kanë favorizuar interesat serbe dhe kanë dëmtuar interesat kombëtare shqiptare, sesa ato të realizuara nga ata që sot e paraqesin veten si patriotë të përhershëm.
Patriotizmi nuk dëshmohet me uniforma, slogane dhe kujtime lufte, por me vendime politike në shërbim të kombit”, ka përfunduar Azizi. /Zhurnal.mk
