Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se ligji për referendumet është i nevojshëm në Shqipëri dhe për hartimin e tij do të realizohet një proces gjithëpërfshirës dhe i gjatë konsultimesh.
Gjatë një konference për shtyp, Balla theksoi se “në Shqipëri Kushtetuta përcakton sesi mbahen referendumet dhe po ashtu sesi përmes referendumit mund të miratohen edhe amendamentet kushtetuese”.
“Sot jemi këtu për t’i dhënë udhë këtij procesi. Do të jetë një proces i gjerë dhe i gjatë. Përpara se këtë draft që kemi sot këtu ta depozitojmë në Kuvend, do t’i nënshtrohemi një procesi të gjerë konsultimi”, tha Balla.
Balla theksoi se “grupi parlamentar i PS-së do të zhvillojë disa tryeza të mëdha konsultative me juristë, profesorë, studentë, shoqërinë civile që të shkojmë në një projekt të konsoliduar mirë që edhe pasi të hyjë në procedurën e Kuvendit, të jetë një proces konsultativ”.
Sipas tij, është e rëndësishme që shqyrtimi i procesit nga Gjykata Kushtetuese të mos kërkojë më shumë se 3 muaj kohë.
“Të kihet parasysh që e gjithë kjo mos të marrë më shumë se 3 muaj, të jetë diçka e rregulluar në draftin që do t’jua shpërndajmë, por sot nuk do ta depozitojmë në Kuvend pa bërë disa konsulta”, tha Balla, ndërsa shtoi se po shihet mundësia që referendumi të mbahet ditën e zgjedhjeve.
Ai kërkoi që klasa politike të jetë sa më e përgatitur për të nisur këtë proces, ndërsa shtoi se ndryshimet e legjislacionit janë kusht për anëtarësimin në BE.
Duke iu referuar propozimit për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend, Balla u shpreh se “kjo mund të jetë një çështje ku mund të merret mendimi i qytetarëve”.
“Referendum për të pyetur shqiptarë për të ulur numrin e deputetëve në Kuvend, e mbështes, është një ide, por pasi të kemi ligjin”, shtoi ai
Balla theksoi se opozita “është e mirëpritur të kontribuojë, por s’mund të marrë peng jetën parlamentare të vendit”.
“Thirrja dhe ftesa ime për opozitën është që të distancohet nga dhuna. Dua të shpreh sot, gatishmërinë tonë të plotë, edhe nëse duan, ligjin për referendumet, jemi të gatshëm edhe t’i presim, por s’kanë për të ardhur kurrë”, tha Balla.
Ndërkohë Balla theksoi se reforma territoriale nuk është një opsion që mund t’i nënshtrohet referendumit. sipas tij, “ndryshimet në ndarjen territoriale do të duhej të ndodhnin deri më 31 korrik të këtij viti për t’u aplikuar për zgjedhjet e vitit 2027”.
