Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas kërkesës së Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, i cili kërkon nga grupet parlamentare që brenda datës 3 prill të propozojnë ndryshimet që vlerësojnë të nevojshme në Rregulloren e Kuvendit.
Në përgjigje të kësaj kërkese, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka shprehur paqartësinë, duke kërkuar sqarime se për çfarë procesi bëhet fjalë, nga kush është ndërmarrë dhe po kryhet ky proces vlerësimi dhe si ka lindur kjo nevojë.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kujtoi se janë ende në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
“Rregullorja e Kuvendit është ndryshuar së fundmi në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës, përmes vendimit të datës 16 shtator 2025 të Kuvendit. Ky ndryshim është shfuqizuar njëzëri, si i papajtueshëm me Kushtetutën, në datë 23 shkurt 2026, nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, dhe ne jemi ende në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, detyrim që buron njëlloj edhe për Kryetarin e Kuvendit”, shkruan Bardhi.
Me tej, Bardhi thekson se Kryetari i Kuvendit duhet të tregojë maturi institucionale, të mos pranojë të keqpërdoret dhe duhet të respektojë autoritetin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat duhet të kalojnë për vlerësim në Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas tij, “çdo proces i njëanshëm për të ndryshuar rregullat e funksionimit demokratik të Kuvendit të Shqipërisë është minim i mundësisë së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit demokratik mes palëve politike në Kuvendin e Shqipërisë”.
“Për sa më lart, mbetemi në pritje të sqarimit tuaj se për çfarë ‘procesi të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendit’ bëhet fjalë dhe kush e ka inicuar këtë proces, pa pritur vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Për ne është thelbësore në një shoqëri demokratike respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shprehim shqetësimin tonë të thellë për injorimin që ju si Kryetar Kuvendi, dhe mazhoranca parlamentare, i bëni vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, reagoi Bardhi.
