Balla ngre dyshime për vilën në Itali, Shehaj reagon: Ke filmuar banesën ku qëndrojnë gruaja dhe fëmijët e mi

Nga Xh M
924 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 korrik Zhurnal.mk –Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka shpërndarë në rrjetet sociale një video me tone ironike, përmes së cilës i kërkon kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, të japë shpjegime për një vilë në Itali.

Në mesazhin e tij, Balla vë në diskutim statusin e pronës dhe lë të kuptohet se mund të ketë mospërputhje në deklarimet e Shehajt.

“O Gono, ku je mo burrë? E shite apo s’e shite atë të shkretën vilë? A është 250, 498, 359? E ke shitur vjet në shtator apo është akoma e jotja? Se mos e nxjerr Kadastra e Italisë që është ende e jotja, se na merr në qafë pastaj. Shihi këto letrat dhe sqaroje pak këtë punë. Dakord, Gono?”, deklaron Balla në video.

Pas publikimit të pamjeve, Agron Shehaj iu përgjigj menjëherë Ballës, duke e akuzuar se kishte bërë publike të dhëna për vendndodhjen e banesës në Itali, ku qëndrojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

Nga një video e regjistruar përpara Kryeministrisë, drejtuesi i Partisë Mundësia pretendoi se informacionet për shtëpinë e familjarëve të tij ishin publikuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

“Sot Edi Rama ka dërguar Taulant Ballën tek shtëpia ime, ka filmuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët e mi, bashkëshortja ime, kur kalojnë verën, me adresë, duke ia bërë me gisht: këtu janë!”, u shpreh Shehaj.

Sipas tij, ky veprim lidhet me përpjekjen e qeverisë për t’u mbyllur gojën deputetëve të Mundësia dhe për t’i penguar ata që të denoncojnë skandalet korruptive të Ramës.

“Pse e bën Edi Rama këtë? Sepse është i dëshpëruar, por një gjë ta kesh të qartë: Ne nuk ndalemi! Nuk na trembni dot, as me filmime dhe as me Taulant-a, as me krimin as me oligarkët, as me mediat tuaja të cilat i financoni me paratë e qytetarëve shqiptarë”, përfundoi Shehaj reagimin e tij.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër